Krasniqi viziton familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe takon ish-presidentin Sejdiu

“Shënimin e 17 shkurtit, kësaj date historike që vulosi përgjithmonë të drejtën e fituar me shumë sakrifica për Kosovën e pavarur, e nisa me vizita tek familjet e Presidentit Hashim Thaçi, Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe Kryetarit Kadri Veseli, të cilët janë pjesë e plejadës së papërsëritshme të burrështetasve vizionarë dhe pjesë e historisë së lavdishme të rrugës sonë drejt çlirimit dhe pavarësisë”, ka shkruar kreu i PDK-së në faqen e tij në Facebook.

“Ata sot po vazhdojnë të paguajnë çmimin e lirisë, por ky kapitull, veçse do e forcojë edhe më shumë historinë e kauzës sonë të drejtë, të luftës çlirimtare, të cilën histori s’mund ta mohojë, as ta tjetërsojë e as ta ndryshojë askush dhe me asgjë”, tha Krasniqi.

“Në konsideratë të kësaj date historike, vizitova edhe Presidentin Fatmir Sejdiu dhe bashkë iu rikthyem atyre momenteve të veçanta që kanë shënuar rrugën tonë drejt themelimit të shtetit, me vlerësimet me të larta për atë periudhë sfiduese, por të veçantë historike. Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu dhe Jakup Krasniqi kanë qenë në krye të institucioneve që e kanë shpallë Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe këtë histori e kontribut të tyre nuk mund ta ndryshojë askush – as komplekset e inferioritetit dhe injoranca e atyre që sot janë në pozicionet që këta burrështetas i kanë pasur dikur”, ka shkruar Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është produkt i të drejtës së popullit për liri e pavarësi, të cilën të drejtë, populli ynë e ka fituar me kontributin e madh të shumë burrave e grave ndër breza, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakun e martirëve e dëshmorëve të kombit, shembulli sublim i të cilës manifestohet me Komandantin Adem Jashari dhe sakrificën titanike të familjes së tij.

“Kosova si shtet i pavarur e ka përmbushur të drejtën tonë historike, por puna për forcimin e shtetit, ekonomisë, mirëqenies dhe bazës së qëndrueshme për të ardhme prosperuese, vazhdon të mbetet një detyrë e përhershme e gjithsecilit prej nesh dhe kësaj detyre, Partia Demokratike e Kosovës nuk do t’i shmanget kurrë. Urime të gjithëve përvjetori i 14-të i Kosovës sovrane”, tha Krasniqi.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!