Natyralizimi i Albin Kurtit me shtetin e Kosovës!

Natyralizimi i Albin Kurtit me shtetin e Kosovës!
Rahoveci INFO – – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Shkruan: Florim ZEQA

Një vit nuk është shumë, por edhe nuk është pak për një qeveri që të dëshmojë aftësitë qeverisëse, menaxhimin e mirë të parasë publike dhe përformancën në arenën ndërkombëtare. Edhe pse nuk është bërë një vit i plot i ‘Qeverisë Kurti 2”, ajo ende ndodhet në pikën zero sa i përket i përket mirëqenies qytetare dhe politikës së jashtme, pa asnjë njohje ndërkombëtare!

“Qeveria Kurti 2” larg pritjeve të qytetarëve

Pra, “Qeveria Kurti 2” as për së afërmi nuk i plotësoj pritshmëritë e qytetarëve. Mosreformimi i sistemit të drejtësisë (Vetting-u), mosreformimi i sistemit shëndetësorë dhe atij arsimor, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe kriza energjetike e gjunjëzuan Albin Kurtin përballë kërkesave të qytetarëve!

Qytetarët rezultatet e para i kanë pritur në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht të trajtimit të barabartë para ligjit, kanë pritur përmirësim të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor, kanë pritur zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies ekonomike, qytetarët kanë pritur avancim të politikës së jashtme, gjegjësisht konsolidim të shtetit në arenën ndërkombëtare, njohje të reja për shtetin e Kosovës dhe liberalizim të vizave brenda një viti.

Çdo tendencë e ikjes nga premtimet e qytetarëve dhe nga obligimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova nga qeverisjet e kaluara do të jetë me rreziqe të paparashikuara për vendin, për shkak se bashkësia ndërkombëtare është e vendosur që sa më parë ta përmbyllë konfliktin qindra vjeçar shqiptaro-serb, gjegjësisht kapitullin e gjatë 11 vjeçar të bisedimeve dhe hapjen e një kapitulli të ri të normalizimit të marrëdhënieve i cili duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Çfarë po ndodhë me kryeministrin Kurti?!

Shkelja e parimeve dhe vënia në pazar e posteve politike (për president) për të ardhur në pushtet, e ka niveluar Albin Kurtin me liderët e tjerë partiak. Shkelja e parimeve dhe mosmbajtja e premtimeve elektorale paraqet rrëshqitjen skandaloze nga kursi politik opozitar.

Dikur, mosnjohës i simboleve shtetërore (himn dhe flamur) dhe as Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, sot në krye të ekzekutivit shtetëror i njehë dhe pranon të gjitha që i kishte mohuar në të kaluarën!

Nuk janë të largëta vitet kur kryeministri Albin Kurti, e injoronte flamurin “lara-lara” siq e quante flamurin e shtetit që e drejton, madje qëndronte ulur kur të gjithë ngriheshin në këmbë kur ekzekutohej himni (pa tekst) i Kosovës, ndërsa pas marrjes së postit të kryeministrit, jo vetëm që ngrihet në këmbë, i qëndron gatitu të njëjtit himn e flamur pa ndjenja kombëtare!

Vargu i premtimeve elektorale të Albin Kurtit është i gjatë dhe i pambarim, sikurse që është e gjatë dhe e pambarim mosmbajtja e fjalëve të dhëna!

As optimistët, por as pesimistët më të mëdhenj nuk e kanë pritur një ndryshim kaq radikal të Albin Kurtit! Nga një kundërshtues i çdo gjëje, është kthyer në pranues të çdo gjëje, madje edhe të atyre që nuk i kërkohen nga ndërkombëtarët (fusnota*).

Nga konsistenca e qëndrimeve në liberalizim të veprimeve

Konsistenca në mbajtjen e qëndrimeve dhe mbrojtja e parimeve politike, e kishin bërë Albin Kurtin liderë opozitarë që veçohej dhe respektohej prej oponentëve politik. Mirëpo me ardhjen në pushtet është duke ndodhur një ndryshim i papritur dhe i paparë i tij si kryeministër i vendit!

Sikurse Hashim Thaçi, ish udhëheqës politik i UÇK-së, me ardhjen e tij në pushtet që i harroj vlerat e luftës çlirimtare duke ua sjellë “dhuratë” luftëtarëve të lirisë Gjykatën Speciale nga Brukseli, edhe Albin Kurti, nga një lider radikal, nga mbrojtës i të drejtave kombëtare, gradualisht është duke u shndërruar në një lider të moderuar i cili po e vazhdon dialogun me Serbinë pa njohje reciproke, me fusnotë* dhe pa emrin Republikë në takimet ndërkombëtare të nivelit të lartë në BE dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së!

Ndalja e huliganizmit dhe e rrënimit të institucioneve shtetërore

Askush nuk e ka imagjinuar një natyralizim kaq të shpejtë të Albin Kurtit. Qytetarët e Kosovës më shumë kanë besuar në liberalizimin e vizave sesa në natyralizimin e Albin Kurtit me shtetin e Kosovës, më shumë kanë besuar në evropianizimin e Kosovës sesa në moderimin e Albin Kurtit, më shumë kanë pritur uljen sesa në ngritjen e çmimit të rrymës, më shumë kanë pritur hapje sesa mbyllje të vendeve të punës!

Megjithatë, gjëja më pozitive që i ka ndodhur Kosovës me ardhjen e LVV-së në pushtet është ndalja e huliganizmit dhe e rrënimit të institucioneve shtetërore, ndalja e gazit lotsjellës dhe piromanisë brenda institucioneve të shtetit.

Albin Kurti nga një udhëheqës i organizatës që ka sulmuar çdo institucion, është kthyer në mbrojtës besnik i tyre. Më nuk e ka guximin askush të sulmojë Gjykatën Kushtetuese dhe Policinë, Kuvendin dhe Prokurorinë, as të kundërshtojë prezencën ndërkombëtare në Kosovë siç kishte ndodhur në të kaluarën jo shumë të largët, kur ambasadorja amerikane fyhej dhe sulmohej fizikisht nga aktivistët e LVV-së.

Më në fund po na gëzon fakti se po e dëgjojmë nga goja e Albin Kurtit se kemi shtet, se kemi institucione, se kemi sundim të ligjit dhe barazi qytetare, etj. Është pak më shumë se pozitive, do të thosha mrekulli pranimi 100 % i simboleve të shtetit, të cilat deri dje refuzoheshin nga Albin Kurti. Na mbetët të shpresojmë se ndryshimi substancial dhe qasja e Albin Kurtit ndaj shtetit të Kosovës vazhdojë edhe kur ai nuk do të jetë në pushtet!

Urime 14 vjetori i pavarësisë të gjithë qytetarëve të vendit tim, e paçim për jetë e mot Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur!

Lavdi të gjithë heronjve, martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!

Lavdi themeltarit të shtetit të Kosovës, presidentit historik Ibrahim Rugova!

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!

Lajmet Natyralizimi i Albin Kurtit me shtetin e Kosovës! >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Mentor Barani

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!