Scholz: I thashë Putinit, popujt e Ballkanit Perëndimor janë të vendosur për t’u bërë anëtarë të BE

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi se ia kishte bërë të qartë Presidentit rus, Vladimir Putin, se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë zgjedhur rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.

“Ai gjithmonë kujtonte konfliktin në Jugosllavi dhe tha se NATO u tregua agresive kundrejt një populli që nuk po bënte asgjë. Unë iu përgjigja se ne po përpiqeshim të shmangnim gjenocidin. Gjithashtu i thashë që popujt e Ballkanit Perëndimor janë absolutisht të vendosur të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian. Ai më tha se gjenocid po kryen Ukraina në Donbas, diçka që mu duk totalisht qesharake”, tha Scholz, duke kujtuar bisedën me Putin në Moskë disa ditë më parë.

Deklarata vjen një ditë pas akuzave të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për të luftuar në krahinat separatiste në Ukrainë. Lavrov tha gjithashtu se vendet e Ballkanit nuk ishin histori suksesi, por ishin shndërruar në baza të terrorizmit dhe trafikut të drogës. Për deklaratën e Lavrov, Ministria e Jashtme ka thërritur ambasadorin rus në Tiranë.

Scholz tha gjithashtu se pushtimi i Ukrainës do të ishte një gabim i rëndë për Rusinë dhe do të sillte pasoja të mëdha politike, ekonomike dhe gjeostrategjike. Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, një aktivitet i përvitshëm që zhvillohet prej gati 6 dekadash, Scholz tha: “Shqetësimi kryesor i Rusisë është anëtarësimi i Ukrainës në NATO, diçka paradoksale, pasi nuk ka asnjë vendim të tillë në agjendë. Çdo agresion ushtarak kundër Ukrainës do të ishte një gabim i rëndë dhe nuk duam të mbërrijmë në këtë pikë. Jemi gati të negociojmë, por do të bëjmë dallim të qatë mes kërkesave të pajustifikuara dhe interesave legjitime mbi sigurinë”. 

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!