Askush nga krerët e lartë amerikanë s’i takoi Kurtin e Osmanin në Konferencën e Sigurisë në Munih

Në këtë konferencë, pjesëmarrës ishin edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Por, pavarësisht kësaj, nuk ka pasur takim midis liderëve të SHBA-ve dhe atyre të Kosovës, shkruan Rahoveci INFO.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç mund të shihet në webfaqen e Kryeministrisë  ka zhvilluar afër 20 takime të rëndësishme me krerë të shteteve të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, por nuk është takuar me udhëheqësit e shtetit të SHBA-ve.

Në anën tjetër, takime të rëndësishme ka pasur edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu. Sipas webfaqes së Presidencës, ajo ka zhvilluar takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme, por nuk është takuar me udhëheqësit amerikanë të shtetit.

Marrëdhëniet Kosovë – Serbi kanë qenë temë diskutimi në opinionin publik në Kosovë për një kohë të gjatë, sidomos mbi faktin se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ende nuk ka zhvilluar vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Madje, analistët e kanë vlerësuar si politike arsyen pse Kurti nuk i ka vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Probleme politike apo teknike – Pse Kurti nuk po e viziton Amerikën?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takime të tjera në Munih. Ai së bashku me kryediplomaten e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka takuar Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn prej të cilit ka kërkuar mbështetje më të madhe nga Unioni.

Kurti përveç takimeve me përfaqësuesit e rajonit të Ballkanit Perëndimor është takuar edhe me përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës. Gjithashtu, ai është takuar edhe me shefin e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Joseph Borrell me të cilin ka diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi.

Takime të ndryshme ka zhvilluar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu me presidentë e përfaqësues të vendeve të ndryshme, por jo me udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, konferenca e sigurisë në Munih ka filluar më 18 shkurt dhe ka përfunduar dje më 20 shkurt. Atje janë zhvilluar diskutime të rëndësishme lidhur me paqen dhe sigurinë në botë, por ajo që mbetet të theksohet nga kjo konferencë është se krerët shtetërorë të Kosovës nuk u takuan me krerët shtetërorë të SHBA-ve. /Rahoveci INFO/ 

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!