Këto janë partitë parlamentare që u shprehen pro miratimit të Kodit Civil

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se Projekt-kodi Civil në tërësi është shumë i rëndësishëm dhe duhet të miratohet. Sipas saj, rregullimi i martesës së gjinisë së njëjtë nuk duhet të mbizotërojë tërë Projekt-kodin Civil, pasi i njëjti do të rregullohet me një ligj tjetër të veçantë.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ketë në diskutim, natyrisht se secili grup parlamentar ka zëra të ndryshëm përbrenda në raport me një referencë dhe ajo ka të bëjë me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë. Ai nuk duhet t’i ndalojë edhe ata që janë me pikëpamje konservatore të votojnë këtë projekt kod për arsye të rëndësisë dhe peshës së gjithë të tjerave. Kjo e tregon se në shoqërinë tonë do të vazhdohet ky debat, i cili është i rëndësishëm në raport me të drejtat bazike elementare, por gjithashtu edhe mbi diskursin që shoqëria jonë si pro-evropiane dhe me synim për integrim në BE”, tha ajo.

Përkrahje për Projekt-kodin Civil ofroi edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Në Projekt-kod Civil kjo çështje ka mbetur të rregullohet me një ligj të veçantë dhe unë besoj se ai duhet të jetë një debat tjetër parlamentar në rast se do të votohet apo jo. Kjo çështje nuk është se po rregullohet nesër në Projekt-kod Civil. Por unë mendoj se edhe si shoqëri dhe përfaqësues të qytetarëve të Kosovës në këtë institucion mjaft të rëndësishëm duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij dokumenti. Ky dokument largon prej rendit të ditës një pjesë të legjislacionit që ka mbetur nga ish-Jugosllavia. Prandaj është e rëndësishme që fusha civile në Kosovë të rregullohet një herë e mirë”, theksoi ai.

Megjithëse tha se miratimi i Projekt-kodit Civil është i nevojshëm, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ka disa nene që duhet diskutuar.

“Kodi civil është i rëndësishëm për zhvillimin e një shoqërie dhe për këtë duhet të trajtojmë dhe analizojmë. Është një dokument shumë i gjatë me diku 1300 faqe dhe më pastaj do të kemi një qëndrim të saktë. Në parim ne mbështetim të kemi një kod civil por duhet të shikohen disa nene që duhet t’i diskutojmë dhe trajtojmë”, deklaroi ai.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!