Kuptimi dhe interpretimi i Koncilit të Dytë të Vatikanit

Kuptimi dhe interpretimi i Koncilit të Dytë të Vatikanit
Rahoveci INFO – – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Shkruan: Don Lush GJERGJI

Pas shumë vjete shtrohet gjithnjë e më shumë pyetja e kuptimit të mirëfillët dhe e interpretimit sa më të saktë e Koncilit të Dytë të Vatikanit. Pika e parë e pranuar nga të gjithë është kjo: ky Koncili ishte kryekëput baritor apo pastoral, e jo doktrinore, si kërkim dhe gjetje e mënyrave të reja dhe të përshtatshme të jetës dhe të veprimit të krishterë në botën bashkëkohore.

Pasi që bota është vazhdimisht në ndërrim të hovshme dhe të paparapashme, edhe Kisha, doemos, me këtë, si dhe familja dhe shoqëria njerëzore, janë në një proces të vazhdueshëm të ndërrimeve, kërkimeve, synimeve, përmirësimeve, risive dhe të arriturave.

Kjo kërkon prej Kishës, prej të gjithë të krishterëve, shqyrtimin dhe interpretimin e jetës dhe të veprimtarive nën dritën e fesë, gjë kjo aspak e lehtë dhe gjithnjë kreative.

Interpretime të Koncilit të Dytë të Vatikanit pati dhe ka gjithnjë, por jo të gjitha janë të sakta, pozitive dhe në frymën e fesë së krishterë, të parisë kishtare.

Disa e kanë kuptuar dhe interpretuar Koncilin e Dytë të Vatikanit si shkëputje dhe rrënim të traditës kishtare shekullore, duke shpresuar në një lloj “revolucioni” edhe brenda Kishës.

Papa Pali VI më 8 dhjetor 1966 ndër të tjera thotë kështu: “Ne na duket se duhet t’iu ikim dy gabimeve: i pari, që beson se Koncili i Dytë i Vatikanit paraqet një shkëputje me traditën doktrinore dhe dishiplinën e mëparshme, gati si të ishte risi e tillë që do të duhej të krahasohej me zbulimin epokal… Gabimi tjetër, kundër besnikërisë që duhet ta kemi ndaj Koncilit, do të ishte mosnjohja e pasurisë së pamasë të mësimeve dhe frytshmërinë providenciale dhe ripërtrirëse që vjen nga vetë Koncili”.

Interpretimi i vazhdimësisë së Koncilit të Dytë të Vatikanit kishte edhe papa Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, si dhe papa i tashëm Françesku.

“Pse është pranuar kaq vështirë Koncili i Dytë i Vatikanit në një pjesë të madhe të Kishës? Po, çdo gjë varet prej interpretimit të drejtë të Koncilit, si do të thonim sot, nga hermeneutika e drejtë, nga çelësi i drejtë i leximit dhe zbatimit…

Në një anë ekziston një interpretim që do të doja ta cilësoja”hermeneutika e mosvazhdimit dhe e ndërprerjes”, e cila jo rrallë ka pasur simpatinë e mjeteve pamore – dëgjimore, si dhe të një pjese të teologjisë moderne.

Në anën tjetër është “hermeneutika e reformës”, e ripërtërirjes në vazhdimësi të subjektit – Kishë, që na ka dhuruar Zotëria, që është një subjekt që rritet në kohë dhe zhvillohet, duke mbetur gjithmonë i njëjti, i vetmi subjekt i Popullit të Zotit në udhëtim…
Ne duhet t’i ndjekim jo tekstet e Koncili, por shpirtin e tij…” (Papa Benedikti XVI, 22 dhjetor 2005).

Ekleziologjia – mësimi mbi Kishën sipas Koncilit të Dytë të Vatikani

Ekleziologjia është mësimi dhe doktrina mbi Kishën, si Korpin mistik të Krishtit, të themeluar nga Ai, të pajisur me Shpirtin Shenjt, i cila na dhurohet nëpërmjet jetës sakramentale dhe kështu na mundëson shëlbimin e amshuar. Një ndër temat boshte të Koncili të Dytë të Vatikanit ishte, pa dyshim, edhe Kisha në dimensionet e ndryshme të saja:
• Në Sacrosanctum Conciliu (SC) trajtohet mbi të gjitha çështja liturgjike, në veçanti kremtimet eukaristike;
• Në Dei Verbum (DV) përqëndrimi është në Fjalën e Zotit, Biblën dhe Traditën e krishterë, si burim zbulimi, feje dhe jetës së krishterë;
• Në Gaudium et Spes (GS) trajtohen marrëdhëniet e Kishës me botën bashkëkohore;
• Në Lumen Gentium (LG) është përpunimi thelbor i ekleziologjisë së Koncilit të Dytë të Vatikanit.

Risia e parë dhe theksimi i rëndësishëm mbi Kishën është ky: ajo nuk është thjesht një shoqëri apo bashkësi njerëzore, por Trupi mistik i vetë Jezu Krishtit, koka e së cilës është Jezusi, ndërsa ne jemi gjymtyrët e tija dhe të njëri-tjetrit. Kisha, pra, është “sakramenti i shëlbimit” për mbarë njerëzimin, misteri i shëlbimit, vazhdimësi historike dhe aktuale e veprës së shëlbimi.

Kisha nuk e ka vetëm meshtarinë ministeriale dhe hirearkike, meshtarët, ipeshkvi dhe papën, por edhe meshtarinë e përgjithshme të të pagëzuarëve, të mbarë Popullit të Zotit (krh. LG 9-17). Kjo jep mundësi të reja të bashkëpunimit dhe të angazhimit për të gjithë të krishterët.

Populli i Zotit – Kisha, ka për bazë tri sakramente: pagëzimin, përforcimin dhe eukaristinë.

Kisha për kah natyra dhe jeta është misionare, e dërguar për ta jetësuar, shpallur dhe dëshmuar veprimin dhe praninë e Zotit në botën e sotme.

Kisha vendore është pjesë e pandashme dhe përbërëse e Kishën universale, kuptohet, nëpërmjet bashkësisë së fesë dhe hirerkisë, bashkimit me Papën e Romës.

Sacrosantum Concilium (SC) në reformimin e liturgjisë dëshiron dhe kërkon ndërrimin rrënjësor, jo më “me pa meshë ditën e diele e ditën festë”, por për të marrë pjesë në meshë, në gosti, në kremtime eukaristike.

Për ta arritur këtë pjesëmarrje altari kthehet kah populli, kremtimi i meshës dhe sakramenteve bëhet në gjuhën amtare, reformohet e tërë liturgjia, ku kërkohet jo vetëm prania e të krishterëve, por edhe pjesëmarrja e tyre aktive.

Kisha ka dy pamje dhe vlerësime sipas Konclit të Dytë të Vatikanit:

• ad intra – apo atë të brendshëm, identitetin e saj në Fjalën e Zotit, në kremtimin e sakramenteve, në jetën e krishterë, në hirearkinë kishtare;
• ad extra – marrëdhëniet e saja me botën në dialog, në liri, nëpërmjet mjeteve të komunikimit shoqëror.

Kisha në Koncilin e Dytë të Vatikanit shqyrton rolin dhe natyrën e saj teologjike, historike si dhe veprimet e saj në botën e sotme për shëlbimin e mbarë njerëzimit.

Papa Pali VI ditën e aprovimit dhe promovimit të Sacrosantum Concilium më 4 dhjetor 1963, ndër të tjera tha: “Zoti në vend të parë; urata është flijimi ynë i parë; liturgjia është burimi i parë i jetës hyjnore që na është dhuruar…”.

Përtrirja e liturgjisë duhet t’i paraprijë përtërirjes së gjithmbarshme të Kishës, që nga shumë etër konciliarë dhe teologë është trajtuar si “kthimi i Shpirtit Shenjt në Kishë” apo “Rrëshajët e ditëve tona”.

Shtyllat e kësaj reforme liturgjike janë:
• Misteri i Pashkëve është burimi i shëlbimit dhe na dhurohet nëpërmjet liturgjisë;
• Primati i Fjalës së Zotit, si pikënisje dhe zbatim i veprës së shëlbimit;
• Pjesëmarrja e vetëdijshme dhe me fe e dashuri në kremtime liturgjike;
• Kremtimi, festimi i pranisë dhe veprimit të Krishtit të ngjallur në Kishë, veçmas në sakramente në kohë dhe në hapësirë;
• Liurgjia e orëve për mbarë popullin e Zotit si lutja zyrtare e Kishës;
• Këndimi liturgjik, si gjallërim dhe falënderim ndaj Zotit, për veprën e shëlbimit;
• Heshtja gjatë kremtimeve liturgjike dhe përkrahja e përshpirtërive popullore.

Në kushtetutën Lumen Gentium (LG) dalin dy vija themelore mbi Kishën: ajo është mister si dhe sakrament i shëlbimit.

Lumen Gentium (LG) e paraqet Kishën si Popullin e Zotit në udhëtim në prizmën e misterit dhe të sakramentit të shëlbimit.
Kisha – Populli i Zotit, është një simbiozë apo gërshetim mes hyjnores dhe njerëzores, dhe kjo e bënë atë kaq të madhe dhe të çmueshme, shenjte, dhe njëkohësisht kaq të afër dhe të pranishme në botë (Krh. LG 8).
Në kushtetutën Dei Verbum (DV) bibla nuk është më vetëm burim dhe ushqim për të vërteta teologjike, biblike, por Fjala e Zotit që na drejtohet, zbulohet dhe dhurohet të gjithëve si frymëzim jete dhe dashurie.
Në kushtetutën Gaudium et Spes (GS) nënvizohet shërbimi i dyfishtë i Kishës, ndaj Zotit dhe ndaj njerëzimit, e jo më sundimi, dënimi, mallkimi, përjashtimi, distancimi nga bota.
Traditio, tradire, nga e cila vjen edhe fjala shqipe tradita, ka kuptimin e bartjes, përcjelljes, dhënies brezave të reja, ndërsa termi që e shpiku Papa Gjoni XXIII “aggiornamento”, e shqip mund të përkthehet me fjalën përditësim, domethënë që të jetohet e vërteta e fesë në mënyrë sa më të prshtatshme për ditët dhe kohën tonë.

Lajmet Kuptimi dhe interpretimi i Koncilit të Dytë të Vatikanit >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Rahoveci INFO

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!