Njeriu i Putinit në fund të javës në Serbi: Çka po lyp Nikolla Patrushev në Ballkan, në këtë kohë?

Sipas këtyre raportimeve, që kanë arritur edhe në mediat ndërkombëtare, Patrushev do të bisedojë me zyrtarët serbë për pretendimet se “mercenarët” nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina “do të luftojnë në Ukrainë kundër palës ruse”.

Ky informacion është prezantuar së voni nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Konfirmim zyrtar për këtë vizitë nuk ka ende, pasi Presidenca e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për çështjen në fjalë.

Paralajmërimi i kësaj vizite nga zyrtarët rusë është bërë në ditët kur konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë po përshkallëzohet.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura. Putin po ashtu ka urdhëruar dërgimin e trupave atje.

Perëndimi ka nisur t’iu përgjigjet veprimeve të Moskës me sanksione të reja kundër individëve dhe rajoneve separatiste.

Rusia, në fakt, është nën sanksione qëkur ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014, dhe ka nisur mbështetjen për lëvizjen separatiste në lindje të Ukrainës.

Luftimet midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare të Ukrainës, që vazhdojnë ende, kanë lënë mbi 14,000 njerëz të vrarë.

Me nisjen e konfliktit, tetë vjet më parë, në anën e separatistëve pro-rusë janë gjetur edhe vullnetarë kryesisht nga Serbia dhe nga Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Kjo është konfirmuar nga hetimet gjyqësore në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ku ligji e ndalon pjesëmarrjen në fushëbetejat e huaja.

Në anën tjetër të frontit, atë të forcave ukrainase, kanë qenë luftëtarë nga Kroacia, si pjesë e batalionit të ekstremit të djathtë Azov, kanë nxjerrë në pah raportet hulumtuese.

Informacioni se “mercenarë” nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina po shkojnë në Ukrainë, është publikuar më 18 shkurt nga agjencia ruse e lajmeve TASS, e cila ka cituar një deklaratë të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Më 20 shkurt, autoritetet e Kosovës i kanë hedhur poshtë pretendimet e Lavrovit si të pavërteta.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita e Patrushevit në Serbi është e nivelit të lartë dhe arsyeja e vërtetë e saj, sipas tij, është çështja e pozicionimit të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, ndaj krizës Ukrainë-Rusi.

“Ai nuk vjen [në Beograd] për do mercenarë të Kosovës dhe Shqipërisë, por për atë se cili është plani… Kjo është pjesë e fushatës dhe planit, të cilin është vështirë ta dimë dhe jam i bindur që as Vuçiqi nuk e di… Pra, a do Putini edhe një krizë tjetër në Ballkan dhe a do të jetë Rusia pjesë e kësaj loje? Unë mendoj që Vuçiqi e ka zgjidhjen më të rëndë tash”, thotë Rashiti.

Ish-diplomati dhe ish-zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Dritan Hila, vlerëson se Kremlini nuk shqetësohet për “mercenarët” që pretendon se luftojnë në krah të Ukrainës.

Sipas tij, shqiptarët dhe boshnjakët nuk kanë asnjë motiv që të luftojnë në Ukrainë.

Ai thotë se vizita e Patrushevit në Beograd ka të bëjë me, siç shprehet, diversionin që Putin kërkon të ngjallë në prapavijën e NATO-s.

“Në këtë rast, Shqipëria është një vend i përshtatshëm, e sidomos Kosova. Është dëshira e Putinit që të ngjallë diversion në prapavijat e NATO-s, në mënyrë që ajo të merret me prapavijat e saj dhe të mos e ketë vëmendjen për të ndihmuar Ukrainën që të vetëmbrohet”, thotë Hila për Radion Evropa e Lirë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të mbajë një mbledhje për sigurinë kombëtare, pas vendimit të Putinit për Donjeckun dhe Luhanskun.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të veprojë në koordinim me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka thënë se presidenti rus “ka bërë dhe vazhdon të bëjë luftëra kundër demokracisë në Evropë”.

“Kosova qëndron përkrah Ukrainës kundër agresionit rus. Putin po lufton edhe një herë kundër një demokracie paqësore. Ai ka zhvilluar luftëra hibride kundër demokracive në të gjithë Evropën për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet me vendosmëri Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, ka shkruar MPJD në Tëitter.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për Donjeckun dhe Luhanskun, duke thënë se ai përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës.

“Shqipëria është e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës”, ka thënë ajo përmes një postimi në Tëitter./REL

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!