Ngrohtoret qendrore sjellin dobi të ndryshme për qytetet

Ngrohtoret qendrore sjellin dobi të ndryshme për qytetet
Rahoveci INFO – – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Sektori i energjisë në Kosovë vazhdon që të përballet me sfida të shumta, ku sipas vlerësimeve të institucioneve evropiane, intensiteti i energjisë është mbi katër herë më i lartë se mesatarja e BE-së, derisa intensiteti i karbonit përkatësisht ndotjes është mbi 7 herë më i lartë se mesatarja e BE-së. 

Për të adresuar sfidat në këtë sektor, BE-ja pos tjerash, ka ndarë edhe një grant shtesë për futjen e ngrohjes qendrore në tetë komuna të Kosovës. Ky projekt i asistencës teknike me vlerë 2 milionë euro, sipas komunikatës së Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) (linku), filloi në tetor të vitit 2021 për të mbështetur përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Ngrohje Qendrore, bazuar në energjinë e ripërtëritshme në tetë komuna të Kosovës: Prizren, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Drenas, Obiliq, Mitrovicë dhe Zveçan.

Aty theksohet se sistemet aktuale të ngrohjes nuk janë të përshtatshme për ndërtesat kolektive të banimit dhe të sektorit të shërbimeve dhe se ato kanë një ndikim të konsiderueshëm negativ si në cilësinë e ajrit ashtu edhe në shëndetin publik. Ndërsa Studimi i Fizibilitetit duhet të prezantojë mundësitë e përdorimit të burimeve primare të energjisë miqësore me mjedisin dhe të disponueshme lokale me teknologji të ndryshme dhe të shpërndajë nxehtësinë përmes sistemeve të ngrohjes qendrore me efiçiencë të lartë. Po ashtu shtohet se sistemet e ngrohjes qendrore ekzistojnë në shumë pak komuna të Kosovës, derisa Prizreni, Peja, Ferizaj dhe Gjilani nuk kanë sisteme të tilla, përkundër zonave të tyre të mëdha të urbanizuara nga ndërtesa kolektive të banimit.

Konstatimi brenda njoftimit është se ngrohja qendrore në konsumin final të energjisë është ende shumë e ulët në krahasim me potencialin e disponueshëm, dhe se me rritjen e urbanizimit në Kosovë, rritet edhe kërkesa për ngrohje të hapësirave të ndërtesave kolektive. Prandaj, konsiderohet se kryerja e Studimit të Fizibilitetit dhe Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social do t’i ndihmonte Kosovës të krijojë rehabilitimin dhe përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese të sistemit të ngrohjes qendrore në Mitrovicë dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja në rajonet e Prizrenit, Pejës, Ferizajt dhe Gjilanit, ashtu që Kosova të jetë në gjendje të rrisë sigurinë e furnizimit, efiçiencën e energjisë, të diversifikojë burimet e energjisë, të zvogëlojë ndotjen e ajrit dhe të përmirësojë cilësinë e jetës, ndërkohë që Qeveria e Kosovës ka identifikuar implementimin e sistemeve të ngrohjes qendrore si prioritet të saj kombëtar. 

Ndërsa javë më parë, drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,  janë pajtuar që të analizojnë mundësitë për ofrimin e ngrohjes qendrore për banorët e Prizrenit. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog pas takimit me kryetarin Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se BE-ja  do ti vazhdojë investimet edhe për përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe energjinë e pastër. “Ne kemi investuar 2 milionë euro në studimin e fizibilitetit, se si mund të ofrohet ngrohja qendrore në Prizren dhe presim rezultatet dhe vendimin e radhës se si të zbatohen rekomandimet e studimit”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka pohuar se janë shqyrtuar disa projekte zhvillimore. “U përmend çështja e mundësisë së ndërtimit të ngrohjes qendrore për Komunën e Prizrenit, sepse e dimë që deri më tani vetëm Prishtina dhe Gjakova e kanë një mundësi të tillë, kurse në të ardhmen do të punojmë seriozisht që të shqyrtojmë mundësinë që këtë projekt ndoshta ta implementojmë në Prizren dhe kjo do të ishte një avantazh shumë i madh për qytetarët e Komunës së Prizrenit”, ka thënë Totaj.

Ndërtimi i Ngrohtores së qytetit në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare është edhe njëri nga prioritetet e qeverisjes katër vjeçare të PDK-së (2021-2025), të prezantuar në fushatën paraelektorale.

Bazuar në rezultatet e anketimit online të realizuar nga EC Ma Ndryshe, qytetarët e Prizrenit mirëpresin ndërtimin e ngrohtores së qytetit. Nga 133 persona të anketuar, pjesa dërmuese përkatësisht 96.2% kanë theksuar se Prizreni ka nevojë për një sistem të tillë. Ndërsa 3 nga 4 të anketuarit apo 74.4% konsiderojnë se një ngrohtore e tillë do të ndikonte në uljen e shpenzimeve për ekonomitë familjare, marrë parasysh edhe rezultatin se mbi 30% ngrohen me energji elektrike, mbi 35% me dru dhe energji elektrike, mbi 17% me pelet dhe 16.5% me dru, me ç’rast mbi 44% të anketuarve shpenzojnë ndërmjet 600 dhe 1000 kWh në muaj, mbi 31% më shumë se 1.000 kWh dhe 24% më pak se 600 kWh. Gatishmërinë për tu lidhur në sistemin e ngrohjes qendrore e kanë shprehur 94% të respondentëve, derisa afër 89% prej tyre vlerësojnë se ngrohtorja do të ndikonte në uljen e ndotjes së mjedisit.

Parashikimet janë që kërkesa për energji në Kosovë të rritet në përputhje me zhvillimin ekonomik, derisa si palë kontraktuese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë duhet ta zbatojë direktivat evropiane në lidhje me efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme.

Në këtë kuadër, hulumtimet e organizatave evropiane tregojnë se ngrohtoret qendrore sjellin dobi të ndryshme për qytetet, si në aspektin ekonomik, mjedisor dhe atë social, derisa përfitues pos të tjerëve janë komunat dhe konsumatorët. Ndërkaq përfitimet mjedisore përfshijnë reduktimin e emetimeve të karbonit, duke kontribuar kështu në objektivat kombëtare e evropiane të reduktimit të karbonit të BE-së si dhe uljen e varësisë nga lëndët fosile.

Ajo çfarë mbetet është që pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, gjetjet dhe rekomandimet e tij, të shpalosen me publikun, në mënyrë që procesi i planifikimit për ngrohtoret qendrore në qytetet e ndryshme të Kosovës të realizohet duke respektuar parimet e transparencës dhe të gjithëpërfshirjes. 

Ky artikull është shkruar nga EC Ma Ndryshe, mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj “Human Rightivism” që zbatohet nga Community Development Fund – CDF. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura këtu nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të donatorëve.

Lajmet Ngrohtoret qendrore sjellin dobi të ndryshme për qytetet >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Rahoveci INFO

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!