Kurti e akuzonte Thaçin për “marrëveshje të fshehtë me NATO-n”, tash ministri i tij e lutë KFOR-in ta shtojë prezencën në veri

Mehaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Gjeneral Kajar është pajtuar që të rritet koordinimi mes institucioneve të sigurisë së vendit dhe KFOR-it si dhe të shtohen kapacitetet dhe vigjilenca në kufirin e Kosovës, shkruan Rahoveci INFO.

“Tendencat destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj ndaj vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë.”, ka thënë ai në Facebook.

Por, vetëm 2 vite më parë, shefi i tij i tanishëm, kryeministri Albin Kurti e kishte akuzuar ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin për një marrëveshje të fshehtë me NATO-n.

Marrëveshja për të cilën ishte debatuar gjatë në opinionin publik përpara se Kurti “ta zbulonte” atë, kishte të bëjë me mosdërgimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës pa koordinim paraprak me NATO-n.

Në një konferencë për media, kryeministri Kurti kishte thënë se nuk beson që këtë zotim Thaçit ia kishte kërkuar Brukseli, por thoshte “mund ta ketë kërkuar Serbia”.

“Lidhur me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila pa dakordim paraprak nuk do të shkojë në Kosovën Veriore jo në veriun e Kosovës, pa dakordim paraprak me KFOR-in. Për neve është e rëndësishme të marrim vesh se kush e ka kërkuar një gjë të tillë, ne nuk besojmë se Brukseli e ka kërkuar një zotim të tillë të ish-kryeministrit, mund ta ketë kërkuar Serbia.”, thoshte Kurti në atë konferencë për media.

Madje Kurti thoshte se letrën ia kishte dhënë një zyrtar i NATO-s dhe nuk e kishte gjetur në sirtarët e qeverisë, ndërsa thoshte se duke iu falënderuar NATO-s e morën atë letërkëmbim.

Në anën tjetër, është raportuar se lufta në Ukrainë mund të ngjallë tensione në veri të Kosovës dhe kështu, institucionet vendore të sigurisë janë mobilizuar për të mbajtur nën kontrollë situatën. /Rahoveci INFO/ 

 

 

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!