Durmishi: Ishin asfaltuar rrugë për vetëm 5 cent metri katror, kjo është e kundërligjshme

Zëvendësministri Durmishi përmendi para deputetëve se ka rrugë që është asfaltuar me vetëm 5 cent për një metër katror, teksa shtoi se në treg kjo kushton 8 deri 10 euro.

Rastet e tilla me çmime tejet të ulëta, sipas Durmishit janë të kundërligjshme.

“E tregova një rast tjetër ku e kemi 1 metër katror të asfaltit me vetëm 5 cent. Situate të tilla ka, edhe pse është e kundërligjshme, sepse e zyrat e prokurimit e kanë mundësitë që mos të lejojnë nënshkrimin e kontratave të tilla, ngase duhet kërkuar prej kompanisë arsyeshmëri për atë çmim që e ka vendosur. S’ka mundësi asnjë kompani me iu dhënë arsyeshmëri për një çmim 5 cent kur në treg kushton 8-10 euro. Pra, kemi situata të tilla”, theksoi Durmishi.

Po ashtu, ai përmendi se 12 rrugë të ndërtuara nuk kanë as elaborat të shpronësimit, e njëra ndër to, sipas tij, është rruga kryesore me 6 korsi nga Prishtina deri te QMI-ja e ndërtuar në vitet 2008-2009.

“Kemi rrugë të ndërtuar që në vitin 2008, rruga kryesore nga Prishtina deri te QMI-ja, është me 6 korsi, e cila nuk është shpronësuar asnjë herë dhe s’ka elaborat. Dhe tash neve po na vinë paditë përmes gjykatave ku pronarët përmes gjykatave fitojnë të drejtën e tyre për pronën që iu është marrë në vitin 2008 e 2009. I kemi të identifikuara 12 rrugë të tilla që s’ka fare elaborat të shpronësimit”, theksoi ai.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami shprehi dyshimet se korrupsioni në Ministrinë e Infrastrukturës shtrihet në dy nivele, çka sipas saj, është edhe arseyja që shumë rrugë shpejt dëmtohen pasi ndërtohen.

“Korrupsioni shtrihet në dy nivele, është dhënia e kontratës dhe gjithashtu mbikëqyrja e kontratës. Shpeshherë operatorë ekonomik jo meritorë përfundojnë duke marrë projekte dhe pastaj niveli i dytë është tek zbatimi I kontratës pikërisht në mungesë të mbikëqyrjes së kontratës”, tha ajo.

Në fillim të mbledhjes, deputetja nga AAK-ja, Albana Bytyqi ka bojkotuar Komisionin, për shkak që, siç tha ajo, në raportim do të duhej të ishte ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, jo zëvendësi i tij, Hysen Durmishi.

“Mendoj se duhet me u anulua ky takim, sepse ne e kemi ftuar ministrin e jo zëvendësministrin. Kështu që nuk po e shoh të arsyeshme me vazhduar ky takim. Nëse vazhdohet ky raportim, unë me duhet ta lëshoj mbledhjen”, u shpreh ajo.

Edhe kryetarja e Komisionit, Bajrami pasi lejoi të raportojë zëvendësministrin Durmishi në Komision, tha se për mungesën e ministrave nëpër komisione, do ta njoftojë kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin.

“Është një shqetësim mungesa e ministrave për të raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjet të Financave Publike, ne në fakt e kemi shtyrë disa herë këtë mbledhje dhe nuk është ministria e vetme. Më vonë kemi vendosur që t’i shqyrtojmë raportet pa praninë e tyre. Personalisht kam menduar që t’i drejtohem me një shkresë edhe kryetarit të kuvendit për një çështje të tillë dhe ta ngrisë në një prej seancave me prani të kryeministrit për mungesën e ministrave në Komision. Ndonëse u propozoj që të vazhdojmë”, theksoi Bajrami.

Ndërkohë zëvendësministri Durmishi duke arsyetuar mungesën e ministrit Liburn Aliu për të raportuar për raportin e auditimit të performancës “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale”, tha se ka më shumë informata se ministri Aliu për ish-ministrinë e Infrastrukturës.

“Për deputeten Albana Bytyqi, por edhe për të gjithë juve tjerëve, raporti i auditimit të performancës ka të bëj me projektet e infrastrukturës. Unë i kam të gjitha autorizimet e ministrit për ish-Ministrinë e infrastrukturës. Më mirë që kam ardhur unë, sepse kam informata shumë më shumë se sa ministri, por është zgjedhje e secilit deputet të qëndrojë apo jo”, theksoi ai.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!