Kjo është shuma e ndarë për qiranë, rrogën dhe transportin e gazetarëve ukrainas në Kosovë

Kjo është bërë e ditur nga ministria e Jashtme e Kosovës në një komunikatë për media, shkruan Rahoveci INFO.

“Mjetet buxhetore të aprovuara nga kabineti qeveritar përfshijnë mbulimin e shpenzimeve të qirasë, zyrës, sigurimit shëndetësor, pagesë mujore, dhe shpenzimet e transportit për gazetarët e pranuar. Mjetet do të alokohen për periudhë gjashtë mujore me mundësi vazhdimi varësisht nga zhvillimet në Ukrainë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Kosova hap dyert për strehimin e gazetarëve ukrainas, qeveria ndan mjete financiare

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej njëqind e pesëdhjetë mijë euro, për procedurat e pranimit në Kosovë të 20 gazetarëve nga Ukraina.

Ky vendim vjen pas gjendjes së krijuar në shtetin Ukrainas, ku Federata Ruse ka vazhduar pushtimin e Ukrainës

Vendimi për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, është një bashkëpunim në mes të Qeverisë së Kosovës, Federatën Evropiane të Gazetarëve (European Federation of Journalists) dhe Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (European Centre for Press and Media Freedom).

Mjetet buxhetore të aprovuara nga kabineti qeveritar përfshijnë mbulimin e shpenzimeve të qirasë, zyrës, sigurimit shëndetësor, pagesë mujore, dhe shpenzimet e transportit për gazetarët e pranuar. Mjetet do të alokohen për periudhë gjashtë mujore me mundësi vazhdimi varësisht nga zhvillimet në Ukrainë.

Ndërsa procedura e identifikimit dhe përzgjedhjes së gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Shteti i Kosovës është rreshtuar në ndihmë të shtetit të Ukrainës, dhe i është bashkëngjitur paraprakisht të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur shtetit të Rusisë. /Rahoveci INFO/

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!