Tri masat e propozuara nga PSD-ja për të parandaluar krizën e grurit në Kosovë

Pasi vendosën “pllugun” në derën e hyrjes së ministrisë, anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi tha se kostoja e mbjelljes së një hektari grurë është bërë 97 për qind më shtrenjtë se vitin e kaluar.

“Sot po na vjen një krizë e re, rritja e çmimeve përgjithësi, rritja e çmimit të naftës, kriza në Ukrainë gjitha këto janë duke pruar një krizë të re që është kriza e rritjes së çmimit të grurit. Në vendit tonë kostoja për me mbjell një hektar grurë veç është rritur, është bërë diku 97 për qind më shtrenjtë. Siç e kemi paraqitur në këtë grafikon prapa fara për një hektar grurë prej 132 euro është rritur në 156 euro, plehu prej 112 euro në 288 euro, nafta prej 60 euro në 75 euro. Tashmë për bujqit tanë është krizë dhe rrezikohemi për mos mbjellje të grurit që do të shkaktojë një krizë më të madhe në vjeshtë. Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht me i marrë së paku tri masa për me parandalu një krizë të radhës. Heqja e akcizës dhe TVSh-së në naftë për bujqit, subvencionimi i 25 për qind së paku të çmimit të plehut si dhe rritja e subvencioneve të përgjithshme në bujqësi në së paku 25 për qind. Në kohë krize qeveria duhet me subvencioni prodhimin vendor që mos me u varë hale më shumë nga importi”, tha ai.

Sipas tij, ekzekutivi në krizën e pandemisë COVID 19 dhe krizës energjetike barrën ia ka vendosur atyre që kanë më pak.

“E kemi sjell sot këtë ‘pllug’ këtu për me i tregu Qeverisë së Kosovës më saktësisht Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural se për bujqit e këtij vendi, nuk e di a e dinë këta sot nuk ka llogari me u mbjellë toka në Kosovë. Ne dina se në kohë krizash dhe kur janë ato kriza ndërkombëtare, qeveritë vendore janë për me i shpërnda ato kriza ose vendos barrën e asaj krize në mënyrë të barabartë dhe lehtësuar atë krizë. Varësisht prej përcaktimit ideologjik një qeveri vendos se a ka vendos barrën e një krize mbi ata që kanë shumë, apo mbi shpinën e atyre që kanë më së paku dhe këtë rast janë bujqit. Në dy krizat e mëparshme, krizën me pandeminë COVID 19 dhe krizën energjetike kemi pa Qeverinë ku ka subvencionuar bash ata që kanë shumë, ndërsa barra e krizave ka ra e atyre që kanë më së paku”, tha ai.

Pasi vendosën edhe një grafikon në objektin e Ministrisë së Bujqësisë, aksioni simbolik i PSD-së përfundoi pa incidente.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!