Demaskohen keq grafitet e propagandës serbe në Kosovë, reagimet nga Prishtina

Grafitet e shkruara u bënë lajm në mediat serbe, por autori i grafiteve duket se nuk ishte njohës i mirë i gjuhës shqipes, sepse akronimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e shkroi gabim “UQK”.

Pavarësisht se krejt kjo është veç një metodë e propagandës serbe, kjo nuk e ka penguar drejtorin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, që ta marr si shkas për ta sulmuar eurodeputeten Cramon, shkruan Telegrafi.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka pyetur “A është Viola von Cramon e vetëdijshme se serbët në Kosovë dhe Metohi ende zgjohen nga kërcënimet e UÇK-së terroriste?”

“Kështu e ruan paqen dhe stabilitetin në Kosovë e Metohi Albin Kurti juaj? Për sa kohë Viola von Cramon planifikon të shtiret si injorancë ndaj sulmeve të përditshme ndaj serbëve?”, ka shkruar Petkoviq.

Ndaj, sulmeve të Petkoviqit kanë reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi.

Çitaku, reagimin e Petkoviqit e ka quajtur të turpshëm.

“O Zot. Ndaloje këtë. Është e turpshme. Së paku duhet t’i kishit mësuar agjentët tuaj të shkruanin saktë UÇK-në”, ka shkruar ajo.

Ndërsa, Pacolli tha se me grafitet e shkruara shteti serb po bën provokime tensionuese atje ku jetojnë serbët në Kosovës.

“Herën tjetër kur të provoni të vini në skenë diçka si Panda përsëri në Kosovë, të paktën mësoni të shkruani UÇK, nuk është UQK. Dëshmi se si shteti serb po organizon provokime tensionuese në lokalitetet ku jetojnë serbët e Kosovës. E ulët dhe turpshme, turp. Mendësia e Millosheviqit!”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Zv.ministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, përmes një postimi në Twitter ka thënë se “përhapja e narrativave të modifikuara nga Serbia kundër UÇK-së nuk është asgjë e re”.

“Përhapja e narrativave të modifikuara nga Serbia kundër “UÇK”-së nuk është asgjë e re. Provokimet e tyre të vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës duket se është një mendësi e shumë qeveritarëve të tyre. Propagandë!”, ka shkruar ajo.

Grafitet e sotme në shtëpitë e serbëve janë vetëm një përsëritje e propagandës serbe, që ndodhte edhe në të kaluarën, sa herë në  Kosovë vinte për vizitë ndonjë diplomat i huaj.

Lajmet Demaskohen keq grafitet e propagandës serbe në Kosovë, reagimet nga Prishtina >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!