Një valë e re e rritjes së çmimeve pritet ta godasë Kosovën

Rusia është një prej prodhueseve më të mëdha të energjisë në botë dhe shpërthimi i luftës në Ukrainë ka çrregulluar tregjet e naftës dhe gazit në tërë globin.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, më 6 mars, ka arritur në 118 dollarë për fuçi.

Rritja e çmimit të derivateve dhe energjisë në botë, pritet që drejtpërdrejtë të rrisë edhe çmimet e produkteve tjera, pasi në Kosovë sasia më e madhe e mallrave importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe ato të rajonit.

Çmimet e derivateve tashmë janë rritur. Në Kosovë, më 6 mars, një litër naftë është shitur për 1.59 euro, ndërkaq benzina deri në 1.59 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni. Kjo rritje ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit.

Madje këto ditë në dyqane janë vërejtur edhe ngritje të çmimeve të produkteve bazike. Një litër vaj shitet nga 1.45 deri në 2.09 euro, një kilogram miell nga 0.69 deri në 0.95 euro dhe një kilogram sheqer nga 0.79 në 0.95 euro.

Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj rritjes së çmimeve në tregjet evropiane për shkak të importit. Ai thotë se edhe tashmë ka inflacion të lartë të çmimeve.

Në janar të këtij viti, inflacioni arriti në 7.1 për qind.

“Me këtë inflacion po përballen qytetarët e Kosovës. Për shembull, artikujt që para dy vjetësh janë blerë me 100 euro, vitin e kaluar nuk ka pasur mundësi të blihen me 200 euro. Ato produkte, që më 2021 janë blerë me 200 euro, sot paguhen 270 euro. Vërtetë, kjo është shqetësuese”, thotë Gërxhaliu.

Çmimet e produkteve në tregun e BE-së do të arrijnë në Kosovë

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë se ndikimet e luftës Rusi-Ukrainë do të vërehen edhe te çmimi i drithërave. Sipas tij, Kosova ka bilanc tregtar negativ pasi më shumë importon sesa eksporton, dhe efektet e krizës, siç thotë ai, do të jenë të ashpra.

“Përveç në naftë dhe në energji elektrike, padyshim se ndikimet e para do të vërehen edhe te lënda e parë dhe drithërat, respektivisht ushqimet, sepse dihet mirë fakti se Ukraina merr pjesë me një sasi të madhe të drithërave në tregun global”, thekson Ramosaj.

Ukraina llogaritet të jetë një prej eksportuesve më të mëdha të miellit në botë.

Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjes e çmimeve, Safet Gërxhaliu konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të ndërhyjë në forma të ndryshe te sektori privat.

“Duhet të ketë ndërhyrje në formë të akcizës apo tatimeve dhe bashkërisht ta tejkalojmë këtë situatë, e cila është mjaft sfiduese jo vetëm për Kosovën, por për gjithë botën. Po e them me përgjegjësi se efektet e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë janë shumë më të mëdha sesa të gjitha dëmet që ka shkaktuar pandemia COVID-19 në gjithë botën”, thotë ai.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka vendosur marzhë tregtare vetëm për derivatet e naftës, si formë për të ruajtur mundësinë e çrregullimeve në treg.

Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

Shkëmbimet tregtare të Kosovës me Rusinë dhe Ukrainën

Vetëm gjatë vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare, mbi 4.6 miliardë euro ka qenë vlera e produkteve të importuara në Kosovë, ndërsa shumë më pak, 712 milionë euro, ka qenë vlera e eksporteve.

Kosova importon kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe nga vendet nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA): Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Kosova nuk ka shkëmbime të larta tregtare me Rusinë dhe Ukrainën.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vitin e kaluar vlera e importit nga Rusia ka qenë mbi 50 milionë euro, kurse gjatë këtij viti, deri më 27 shkurt, në tregun e Kosovës mallra ruse kanë hyrë në vlerë prej 5.4 milionë euro.

Pije alkoolike, tekstil, vajra, letra, sheqer, kimikate organike, prodhime të qelqit janë vetëm disa nga produktet ruse që gjenden në tregun e Kosovës.

Kurse vlera e produkteve të Kosovës që kanë kaluar në tregun e Rusisë vitin e kaluar ka qenë mbi 34,000 euro, ndërsa gjatë këtij viti mbi 3,600 euro.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë të regjistruara vetëm gjashtë kompani ruse, apo kompani me pronarë me shtetësi nga Rusia. Ndërkaq, në pesë vjetët e fundit nuk ka pasur ndonjë investim direkt.

Ndërkaq, produktet nga Ukraina në tregun e Kosovës kanë pjesëmarrje edhe më të vogël.

Më 2020 vlera e mallrave ukrainase të importuara në Kosovë ka qenë rreth 19 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar kjo vlerë gati është dyfishuar me mbi 36 milionë euro.

Miell, kafe, çaj, vaj, tekstil, qeramikë janë disa nga produktet e importuara vitin e kaluar nga Ukraina në Kosovë.

Mallrat që Kosova ka eksportuar në Ukrainë vitin 2021 kanë kapur vlerën e mbi 22,000 eurove, ndërsa në vitin 2020 mbi 70,000 euro./REL

Lajmet Një valë e re e rritjes së çmimeve pritet ta godasë Kosovën >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!