Kurti: Duhet t`iu flasim më shumë burrave se grave për barazinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve që, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë humbur gratë, nënat apo vajzat e tyre.

Në seancën ku po diskutohet mbi pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, Kurti numëroi gjashtë çështje në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, transmeton Klankosova.tv.

“1. Nevojitet si institucione të shtetit, por edhe si shoqëri civile, të bashkëpunojmë për krijimin dhe mirëmbajtjen e vatrave të solidaritetit gjinor. Gratë duhet t’i ndihmojnë gratë dhe këtu duhet të investojmë të gjithë. Duhet të kemi programe, duhet të kemi kurrikula, të cilat ndihmojnë solidaritetin gjinor”.

“2. Emancipimi shoqëror, me theks tek emancipimi i burrave sepse shpeshherë kur themi emancipimi mendojmë t’i emancipojmë gratë. Por, vetëm emancipimi nënkupton që duhet t’iu flasim më shumë burrave sesa grave se çka është barazia, e pse po ngjan e nuk duhet të ngjajë diskriminimi. Pra, emancipim shoqëror që në spikamë ka vetëdijesimin dhe edukimin e burrave. Është edukim ta dëgjosh, ta shikosh, ta mbështetësh e ta ndjekësh një grua”.

“3. Jo vetëm përfshirje e inkuadrim të grave, por pjesëmarrje e tyre. Sepse përfshirja dhe inkuadrimi nënkuptojnë kontributin e grave, kurse pjesëmarrja nënkupton edhe fitimin edhe përfitimin që e kanë gratë. Përfshirje dhe inkuadrim po, e nevojshme por e pamjaftueshme. Duhet pjesëmarrje në vendimmarrje”.

“4. Do të ishte një trajtim më i thellë i pasojave të luftës. Besoj që shumë padrejtësi, diskriminime, shfrytëzime, shtypje, ndrydhje dhe dhunë në shoqërinë tonë e në familje, janë edhe pasojë e pasojave të pa trajtuara të luftës së fundit. Në Kosovë ka më shumë burra e gra të traumatizuar nga lufta, jo vetëm se sa që ne e pranojmë por edhe se sa që ne e mendojmë”.

“5. Duhet një vetëdijesim i përgjithshëm sepse pikërisht se jemi të ndryshëm, duhet të jemi të barabartë. Ka një lloj paragjykimi të thjeshtë por shumë të rëndë, se vetëm ata që janë të njëjtë mund të jenë të barabartë. Si shoqëri njerëzore duhet të krijojmë barazi aty ku ka gjëra e njerëz të ndryshëm, jo vetëm ku ato janë identike”.

“6. Raporti në mes te diskriminimit dhe përjashtimit. Në një mekanizëm, institucion, organ, entitet, sistem, strukturë të caktuar ka pabarazi të brendshme, por ka nganjëherë edhe përjashtim total. Dhe kur kalon nga përjashtimi te diskriminimi është një progres, sepse teknikisht hyre brenda, e ishe jashtë. Edhe këtë duhet ta luftojmë. Të mos e bëjmë zëvendësimin e përjashtimit me diskriminim. Pra, përjashtimi absolut të mos zëvendësohet me pabarazi”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.

 

Lajmet Kurti: Duhet t`iu flasim më shumë burrave se grave për barazinë >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!