Qyteza polake që u shndërrua në strehën e përkohshme të ukrainasve (VIDEO)

Drejtori i Klan Kosovës dhe gazetari, Adriatik Kelmendi, ka raportuar nga qyteza Przemysl që është më së afërti vijës kufitare mes Ukrainës dhe Polonisë.
Në këtë qytezë janë duke u strehuar përkohësisht shumica e refugjatëve ukrainas, që kanë arritur në Poloni, e prej nga po drejtohen për qytete të tjera të Polonisë, apo vende të tjera.
Kelmendi është paraqitur nga stacioni i trenit ku janë duke qëndruar shumë prej ukrainasve që janë larguar nga lufta e të cilët po presin që nga aty të largohen për t’u strehuar diku tjetër.
Aty janë stacionuar edhe gazetarët e shumë vendeve të ndryshme të cilët janë duke raportuar për të gjitha zhvillimet, tashmë kur Ukraina ka hyrë në ditën e 15-të të sulmit ushtarak të Rusisë.
Në këtë stacion ka edhe shumë vullnetarë të cilët po shpërndajnë ushqime të ngrohta, qumësht për fëmijët e vegjël dhe po ndihmojnë refugjatët për çka do që kanë nevojë. Madje, ka prej tyre që mision të vetëm e kanë që të argëtojnë dhe të mbajnë lart disponimin e të gjithë atyre që janë larguar nga shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe qytetet e bombarduara.
Ndryshe, sipas të dhënave të fundit rezulton se 1.5 milion ukrainas kanë hyrë në Poloni që nga fillimi i pushtimit.
Lajmet Qyteza polake që u shndërrua në strehën e përkohshme të ukrainasve (VIDEO) >> Rahoveci.info.