Sekuestrohen 4676 litra vaj në Rahovec, aksion inspektues pas mashtrimeve me çmime

Drejtoresha për Punë Inspektuese në Komunën e Rahovecit, Nora Boshnjaku ka njoftuar se sot janë inspektuar marketet në komunën e Rahovecit, me çrast janë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës.

Sipas Boshnjakut, Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera.

“Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj.

Gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullsi, poashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba si dhe masa të tjera administrative. Në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekononik (Mega Market) kanë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës”, thuhet në njoftimin e bërë publik.

Boshnjaku ka lutur qytetarët që të denoncojnë mashtrimet me çmime në Departamentin për Mbrotjen e Konsumatorit.

“Për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, qytetarët luten të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/ DPI gjithashtu fton bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme.

Organet kompetente – MINT dhe Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës – po vëzhgojnë gjendjen dhe po marrin masat e duhura sipas ligjit”, thuhet në fund.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!