Bordi i RTK-së e rikthen në pikën zero procesin e rizgjedhjes së drejtorit të RTK-së

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka bërë të ditur se e ka rikthyer në pikën zero procesin e rizgjedhjes së drejtorit të RTK-së, kjo thuhet se u bë në bazë të mungesës së qartë ligjore.

“Rrjedhimisht, për të evituar shkeljet ligjore, Bordi i RTK-së e ka përmbyllur procesin e konkursit, duke mos e votuar asnjë kandidat për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidatëve për zhvillimin e RTK-së”.

“Bordi i RTK-së sqaron opinionin publik se historikisht, gjatë procedurave për konkurse publike, RTK-ja i është referuar Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. I njëjti udhëzim administrativ është përdorur edhe në konkurset për drejtorët paraprakë të RTK-së. Në të njëjtën kohë, Zyra Ligjore e RTK-së i ka rekomanduar bordit se i njëjti proces mund të ndiqet edhe tani, pasi RTK-ja nuk ka dokument tjetër ligjor që mund ta përdorë për procedurën e konkursit për drejtor të përgjithshëm”.

“Gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, bordi ka vërejtur që zbatimi i këtij udhëzimi në këtë proces është problematik sepse parasheh procedurë të përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm, në mospërputhje me Ligjin për RTK-në”, thuhet në reagim.

Tutje, thuhet se si përfundim i këtij procesi, Bordi nuk ka emëruar asnjërin nga pesë kandidatët për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, pasi sipas tyre, një emërim i tillë nuk siguronte qartësi të plotë procedurale dhe ligjore.

“Bordi menjëherë do të kërkojë nga menaxhmenti krijimin e një grupi punues për krijimin e një rregulloreje të veçantë, e cila do të jetë në përputhje të plotë me Ligjin për RTK-në dhe brenda një afati kohor sa më racional do ta rishpallë konkursin për drejtor të përgjithshëm të RTK-së. Drafti i kësaj rregulloreje do të diskutohet edhe me shoqërinë civile dhe me sindikatat e RTK-së”.

“Deri në rishpalljen e konkursit dhe emërimin e drejtorit të ri, z. Shkumbin Ahmetxhekaj e ka besimin e plotë të bordit që të vazhdojë ushtrimin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Lajmet Bordi i RTK-së e rikthen në pikën zero procesin e rizgjedhjes së drejtorit të RTK-së >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!