Shala kujton kohën kur si 16-vjeçare iu bashkua UÇK-së dhe plagosjen gjatë luftimeve

Mimoza Shala nga Gjakova ishte vetëm 16-vjeçare kur iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me disa shoqe e shokë të saj gjimnazistë.

Ajo për emisionin Edicioni Special në Rahoveci.info rrëfeu se familjarët i kishin njoftuar pasi veçse ishin vendosur në ushtri.

“Ishte i vështirë pranimi meqë ishim të rinj në moshë, por vendosmëria jonë fitoi në diskutimin që e kemi pasur me komandantin. Ata kanë diskutuar me neve gjerë e gjatë dhe e kanë shtjelluar çdo rrezik që e ka lufta, por ne u nisëm për luftë dhe ishim të përgatitur se çka na pret atje”, deklaroi Shala, e cila shtoi se kanë bërë një javë trajnim për armët dhe kujtoi se si kanë kaluar nëpër momente të vështira gjatë luftimeve, duke fjetur në borë e shi dhe duke qëndruar për disa ditë pa ushqim.

Gjatë betejës së Çabratit në Gjakovë ajo ishte plagosur, ndërsa në ato momente i kishte dalë në ndihmë një grua.

“Jam e plagosur në këmbë dhe kam pasur fatin që kam shpëtuar sepse jam gjendur në një vijë shumë të rrezikshme mes forcave serbe dhe UÇK-së. Bashkëluftëtarët që i kisha pranë m’u vranë, por kur u tërhoqa me ndihmoi një grua dhe në mbrëmje u takova me bashkëluftëtarët. U shërova në mal, vet jam kujdesur për plagën time. Kemi pasur jod, alkool, fasha dhe asgjë më tepër”.

Ish-ushtarja e UÇK-së po ashtu zbuloi se ishte paragjykuar nga disa individë brenda ushtrisë për faktin se ishte vajzë.

“Një X komandant më ka kërkuar që t’i bëj kafe. E kam refuzuar kërkesën e tij dhe i kam bërë me dije që s’jam aty për të bërë kafe dhe më pas më dha urdhër për me hap istikame, dhe i hapa”.

Sjelle të tilla, sipas saj, vinin nga disa individë të izoluar, dhe se më të shumtë në numër kanë qenë ata që i janë gjendur pranë dhe e kanë përkrahur.

Lajmet Shala kujton kohën kur si 16-vjeçare iu bashkua UÇK-së dhe plagosjen gjatë luftimeve >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!