Haxhiu nis sot takimet në Hagë, refuzohet nga Thaçi e Veseli (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nis sot takimet në Hagë me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë në procese gjyqësore atje.

Këtë të mërkurë, Haxhiu do të ketë tri takime ndërsa nesër dy të tjera, njofton Klankosova.tv.

Këtë e tha deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, që është pjesë e delegacionit kosovar atje.

“Në bazë të agjendës, takimet fillojnë nesër, vazhdojnë pasnesër dhe në ditën e fundit të vizitës, më 1 prill, do të kemi takime të tjera. Është vizitë e kombinuar me takime të ndryshme, përveç vizitës te liderët e UÇK-së, që një pjesë do të bëhet nesër dhe një pjesë pasnesër”.

“Si delegacion institucional, duke përfshirë nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe anëtarë të Komisionit për Legjislacion, kemi bërë kërkesë që t’i takojmë të gjithë drejtuesit e UÇK-së dhe deri tani kemi marrë përgjigje pozitive nga pesë persona. Nesër do t’i takojmë Hysni Gucatin, Pjetër Shalën dhe Rexhep Selimin, derisa pasnesër do t’i takojmë Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn”.

Rrustemi, mbrëmë në “Edicionin Special” në Rahoveci.info, ka treguar se nuk kanë marrë përgjigje pozitive për takim me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

“Kemi bërë kërkesë që t’i takojmë të gjithë. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk kanë pranuar dhe nuk i dimë arsyet dhe shpjegimet. Ky është qëndrimi i tyre. Nuk ka përgjigje as deklarim të tillë, por thjesht nuk është konfirmuar takimi”.

A ndërlidhet refuzimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit me raportet personale që kanë pasur më herët me tash ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu?

“Jo, unë nuk konsideroj një gjë të tillë. Madje, nuk mendoj se çështja kryesore është diskutimi i mostakimeve. E rëndësishme është diskutimi i takimeve, që do të jenë pesë, përveç takimeve të tjera. Në kuadër të agjendës, do ta shfrytëzojmë maksimalisht për të diskutuar çështjet, për të cilat jemi këtu”.

“Nuk i kemi të konfirmuara dy takime, derisa i kemi të konfirmuara pesë takime të tjera dhe jemi fokusuar në realizimin e këtyre takimeve dhe atyre me institucionet ndërkombëtare gjatë kësaj vizite”.

Rrustemi ka deklaruar se qëllimi i vizitës është për të dëgjuar nga të paraburgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Hagë se si mund të japin mbështetjen institucionale në krejt këtë proces.

“Ne jemi këtu për të dëgjuar kërkesat e tyre, për të parë nga afër dhe dëgjuar çfarëdo vlerësimi që ata mund të kenë për kontributin dhe mbështetjen që mund të japin institucionet e Kosovës. Nuk kemi deklaratë për sa i përket pamundësisë së takimeve. Jemi përqendruar që të dëgjojmë kërkesat dhe të shprehim gatishmërinë e institucioneve për të dhënë mbështetje në këtë proces”.

 

Lajmet Haxhiu nis sot takimet në Hagë, refuzohet nga Thaçi e Veseli (VIDEO) >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!