INTERVISTË| Ish-përfaqësuesi i UÇK-së në Londër: Kosova e harroi Robin Cookun

“Një fenomen i pashpjeguar ka ndodhur pas luftës, britanikët u harruan. Kalibri i Tony Blair dhe Robin Cook u lanë në harresë”.

Këtë qëndrim e shpreh ish-përfaqësuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Londër, Pleurat Sejdiu.

Ai në një intervistë për Klankosova.tv ka treguar eksperiencën e tij të përfaqësimit të UÇK-së në Mbretërinë e Bashkuar, teksa rëndësi të veçantë i dha qëndrimit të ish-sekretarit të Jashtëm, Robin Cook, ndaj luftës që po bënin forcat serbe në Kosovë.

“Qëndrimi i zotëri Cook ishte shume i qartë, përkundër që diplomacia në përgjithësi dhe në veçanti ajo britanike nuk thotë shumë. Por, ai ishte i qartë sa i përket Kosovës. Kosova duhet të jetë e lirë dhe Millosheviqi për të ishte një kriminel, mashtrues dhe asgjë më shumë as me pak. Ai ka qenë shumë aktiv dhe influencues në Rambuje – edhe kur shihej se gjasat ishin të dështojë kjo konferencë. Ai ishte vetëm se në përgatitje e sipër të një konference përfundimtare, të tipit të Dejtonit, që do mbahej në Mbretërinë e Bashkuar” thotë Sejdiu.

Sejdiu, thotë se Cook iu parapriu edhe fillimeve të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, e këtë e harruan institucionet kosovare, aq sa as një bust nuk i bën, gjë të cilën e quan cinike dhe të pakuptimtë.

Sips tij, kryediplomati i Londrës në vitet 1997–2001, e që vdiq më 2005, ishte krijues i qëndrimit të Britanisë së Madhe karshi luftës së Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Robin Cook ishte ndër katër personalitet e para. Ai nuk ishte zëdhënës, por krijues i qëndrimit të Britanisë së Madhe rreth luftës së Kosovës, UÇK-së dhe mëvetësisë sonë. Ai jo se influencoj politikën britanike, opinionin publik britanik, por, ndryshoj qëndrimin e shumë diplomacive të Evropës” thotë Sejdiu.

INTERVISTA E PLOTË:

 Si ishin takimet me ish-kryediplomatin britanik, Robin Cook, gjatë kohës tuaj të përfaqësimit të UCK-së në Angli?

Pleurat Sejdiu: Takimet me zotëri Cook ishin kënaqësi e vërtetë sepse ishte shume analitik dhe kishte durimin për të dëgjuar, por, edhe për të këshilluar – e edhe të pranonte këshilla të argumentuara.

Unë kam pasur pesë takime me të, por në baza javore shpesh edhe ditore, varësisht prej zhvillimeve në Kosovë. Por, takimet vazhdonin edhe me këshilltarin e tij të ngarkuar për çështjen e Kosovës dhe Ballkanin. Gjatë gjithë asaj periudhe të bashkëpunimit, ai ishte serioz dhe i  “kënaqur” për korrektësinë e aktiviteteve të Zyrës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Londër.

Çfarë do të ndanit me lexuesit e Klankosova.tv nga ndonjë takim me Cook?

Pleurat Sejdiu: Në një takim sensibilizues dhe publik, në kohën kur opinioni publik në Britani filloi të dyshoj në rezultatet e bombardimeve, sidomos përmes protestave të organizuara nga organizatat majtiste në Britani, ai erdhi në një restorant shqiptar në Londër dhe në përcjellje të mediave na pyeti se “Çka mendojmë për ndaljen e bombardimeve?”.

Përgjigja jonë ishte: JO, shkojmë deri në fund. Teksa ai iu kthye mediave: “Ky është qëndrimi që do ndjekim”.

Pas largimit të mediave dhe kur mbetëm për të biseduar rreth disa “finesave” e pyeta mos ishte i familjes së “Oso Kukës” dhe i sqarova se kush ishte Osoja dhe ai buzëqeshi dhe tha “Maybe” (ndoshta).

Cili ishte qëndrimi i tij për Kosovën në përgjithësi dhe e veçanërisht si ndërmjetësues në bisedimet e dështuara ndërmjet palës shqiptare dhe asaj serbe në Rambuje të Francës?

Pleurat Sejdiu: Qëndrimi i zotëri Cook ishte shume i qartë, përkundër që diplomacia në përgjithësi dhe në veçanti ajo britanike nuk thotë shumë. Por, ai ishte i qartë sa i përket Kosovës.

Kosova duhet të jetë e lirë dhe Millosheviqi për të ishte një kriminel, mashtrues dhe asgjë më shumë as me pak. Ai ka qenë shumë aktiv dhe influencues në Rambuje -e dhe kur shihej se gjasat ishin të dështojë kjo konferencë. Ai ishte vetëm se në përgatitje e sipër të një konference përfundimtare, te tipit të Dejtonit, që do mbahej në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai kishte durim, por, edhe kishte limite kur thuhet “çka është mjaft, është mjaft”. Dihet fare mirë se Mbretëria e Bashkuar ishte forca mbrapa presionit dhe përgatitjeve për hyrje të këmbësorisë së NATO-s në Kosovë, sepse për ta “Millosheviqi nuk kuptonte ndryshe”.

Nëse do ta bënim një listë prej 10 personaliteteve ndërkombëtare më meritore për çlirimin e Kosovës, a do të ishte pjesë e saj edhe Cook, dhe nëse po, ku do e radhisnit?

Pleurat Sejdiu: Robin Cook ishte ndër katër personalitet e para. Ai nuk ishte zëdhënës, por krijues i qëndrimit të Britanisë së Madhe rreth luftës së Kosovës, UÇK-së dhe mëvetësisë sonë. Ai jo se influencoi politikën britanike, opinionin publik britanik, por, ndryshoi qëndrimin e shumë diplomacive të Evropës.

A do të duhet që për Cook të flitej më shumë nga institucionet kosovare dhe të njëjtat ta trajtonin figurën e Cook si të liderëve tjetër botërorë që ndihmuan Kosovën para dhe pas luftës?

Pleurat Sejdiu: Një fenomen i pashpjeguar ka ndodhur pas luftës, britanikët u harruan. Kalibri i Tony Blairit dhe Robin Cookut u lanë në harresë.

Për rolin e tyre flet edhe vet ish-presidenti, Bill Clinton, se britanikët ishin më agresivët në çështjen e Kosovës. Britanikët asnjëherë nuk i bllokuan fondet e “Fondit Vendlindja Thërret”, ata i dhanë ngjyrë diplomacisë publike të UÇK-së.  E gjithë kjo të mos materializohet me një bust të zotëri Cook dhe Blair është e pakuptimtë dhe cinike. Edhe sot britanikët janë të qartë në mbrojtjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO.

Sipas jush a do të duhej të kishte ndonjë bust apo bulevard në nderim të Cook në Kosovë?

Pleurat Sejdiu: Pyetjes së fundit do i përgjigjem shkurt! Kush janë ushtarët e parë që hynë në Kosove? Kush i neutralizoi forcat militare e paramilitare dhe ato policore në Prishtinë?

Britania e Madhe nën diplomacinë fantastike të Robin Cook – është përgjigja.

Lajmet INTERVISTË| Ish-përfaqësuesi i UÇK-së në Londër: Kosova e harroi Robin Cookun >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!