Neutraliteti – statusi që mund t’ia rikthejë sigurinë Ukrainës

Neutraliteti – statusi që mund t’ia rikthejë sigurinë Ukrainës
Rahoveci INFO – – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Përparimi më i madh në bisedimet për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës është bërë në rundin e 29 marsit. Kështu së paku ka vlerësuar ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, vendi i të cilit ka qenë nikoqir i dy palëve negociuese.

“Ka pasur marrëveshje dhe mirëkuptim për disa tema. Sot është bërë përparimi më domethënës që nga fillimi i negociatave”, ka thënë ai.

Rusia dhe Ukraina kanë filluar bisedimet për paqe qysh më 28 shkurt, katër ditë pasi shteti rus ka nisur pushtimin e fqinjit të tij.

Në rundin e fundit të negociatave direkte, të mbajtur në Stamboll, negociatorët ukrainas u kanë paraqitur disa propozime homologëve rusë për ndaljen e agresionit. Mes tjerash, ata kanë dalë me idenë e statusit neutral për vendin e tyre, që do të thotë heqjen dorë nga çdo përpjekje për anëtarësim në ndonjë aleancë të huaj ushtarake. Në këmbim, ata kanë kërkuar garanci për sigurinë, që do të ofroheshin nga vende të tjera, si: Kanadaja, Turqia, apo Izraeli. ​

Negociatorët rusë kanë thënë se do t’i shqyrtojnë këto propozime dhe se Rusia, në të njëjtën kohë, do të zvogëlojë aktivitetin ushtarak pranë qyteteve Çernihiv dhe Kiev, me qëllim rritjen e besimit reciprok dhe krijimin e kushteve për negociata të mëtejshme.

Perëndimi ka thënë se zotimet e Rusisë duhet të shihen me kujdes; Ukraina ka thënë se nuk ka parë zvogëlim të aktivitetit ushtarak në terren, ndërsa, sipas Rusisë, përparim drejt fundit të konfliktit nuk ka ende.

Neutraliteti i Ukrainës, megjithatë, është diçka që Moska e do. Një nga arsyet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka përdorur për të justifikuar pushtimin e Ukrainës ka qenë ambicia e Kievit për t’u bashkuar me NATO-n.

Ukraina, kur ka shpallur pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, më 1991, është zotuar për neutralitet, por ka ndryshuar qëndrim kur Rusia ka aneksuar Gadishullin e saj të Krimesë, në vitin 2014. Pesë vjet më vonë, ajo ka ndryshuar Kushtetutën, për ta përfshirë anëtarësimin në NATO si objektiv shtetëror.

Edhe pse NATO nuk ka dhënë ndonjë afat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e saj, Putin ka kundërshtuar me ngulm zgjerimin e mëtejshëm në lindje, duke pretenduar, pa asnjë provë, se aktivitetet e NATO-s pranë kufijve rusë paraqesin kërcënim për sigurinë e Rusisë.

“Ne duhet të veprojmë nga premisa se zgjerimi i NATO-s dhe vendosja e infrastrukturës së saj ushtarake pranë kufijve rusë, janë kërcënime të mundshme për sigurinë e vendit tonë”, ka thënë Putin.

Në të drejtën ndërkombëtare, statusi neutral i një vendi, në terma të gjerë, nënkupton mosndërhyrjen e tij në konfliktet ushtarake të shteteve të treta. Zvicra, Austria, Irlanda, Suedia, Finlanda janë shembuj të neutralitetit në Evropë. Por, të gjitha ato kanë ushtritë e veta dhe investojnë në to, pasi kanë të drejtë ta mbrojnë veten nëse dikush ua shkel atë neutralitet.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, është cituar të ketë thënë se negociatorët rusë dhe ukrainas janë duke diskutuar modelin austriak për Ukrainën.

Në rastin e Austrisë, statusi i neutralitetit është pasojë e Luftës së Ftohtë. Austria e ka miratuar atë në këmbim të përfundimit të pushtimit nga Forcat Aleate, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Neutraliteti i Austrisë është bërë ligj në vitin 1955 dhe që atëherë, ky vend nuk merr anë në luftëra, nuk bashkohet me aleanca ushtarake dhe nuk ofron territor për baza të huaja.

Disa historianë dhe ekspertë të neutralitetit shprehen optimistë se mbetja e Ukrainës neutrale, mund të sjellë fundin e luftës.

Leos Muller, historian në Universitetin e Stokholmit dhe autor i librit “Neutraliteti në historinë botërore”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se modeli austriak do të mund të funksiononte edhe për Ukrainën.

“Ajo çfarë na duhet, është t’i japim fund kësaj lufte sa më shpejt që të jetë e mundur. Ajo është e pakuptimtë për të dyja palët, sepse është e qartë se Rusia nuk mund të ketë sukses në atë që do. Ukraina, në anën tjetër, nuk mund ta mposhtë Rusinë. Ajo mund të çlirojë territore, por në fund i duhet të bëjë marrëveshje me Rusinë”.

“Pra, fundi i vetëm i kësaj lufte është një lloj zgjidhjeje e negociuar, e cila duhet të jetë e pranueshme për Rusinë. Dhe, siç e shoh unë, ajo që mund të jetë e pranueshme për Rusinë është modeli i Austrisë”, thotë Muller.

Putin ka kërkuar edhe çmilitarizimin e Ukrainës, por Muller thotë se kjo është një kërkesë e paimagjinueshme për një vend neutral. Sipas tij, neutraliteti ka kuptim vetëm nëse shteti ka kapacitet të mjaftueshëm për ta mbrojtur atë. Muller thotë se Kombet e Bashkuara mund të luajnë rol të madh në garantimin e sigurisë për Ukrainën.

“Kombet e Bashkuara nuk luajnë ndonjë rol konstruktiv apo domethënës në rastin [e Ukrainës]. Por, nëse shohim Austrinë, që është rasti më relevant i neutralitetit, [kryeqyteti i saj] Vjena ka statusin e selisë së Kombeve të Bashkuara. Pra, do të ishte shumë më e vështirë për vendet si Rusia të sulmonin Ukrainën, nëse Kievi do të kishte statusin e selisë së Kombeve të Bashkuara. Ai do të ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kombeve të Bashkuara apo organizatave ndërkombëtare”, thotë Muller.

Pascal Lottaz, ligjërues i neutralitetit në Institutin Waseda për Studime të Avancuara, shprehet i bindur se neutraliteti i Ukrainës çon në fundin e luftës.

Duke folur për Exposenë, ai thotë se modeli i Austrisë mund të jetë i vetmi opsion me të cilin pajtohen të gjitha palët: Ukraina, Rusia, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

“Austria nuk është sulmuar për 70 vjet. Pra, mund të funksionojë. Por, mund edhe të mos funksionojë, pasi Belgjika ka qenë neutrale për 70 vjet dhe më pas është sulmuar. Pra, ekziston një balancë e përzier. Ukrainasve iu them: ju lutem provojeni. Hera e fundit që keni qenë neutralë ka qenë mes viteve 1993 dhe 2014. Dhe, sa herë jeni sulmuar nga Rusia në atë periudhë? Asnjëherë. Pra, neutraliteti i Ukrainës ka dëshmuar se prodhon siguri për ukrainasit”, thotë Lottaz.

Sipas një sondazhi të kryer në muajin mars, nga qendra Raiting në Ukrainë, 44 për qind e ukrainasve të anketuar kanë thënë se vendi i tyre duhet t’i bashkohet NATO-s. Shifra paraqet rënie për 2 për qind krahasuar me një sondazh të kryer në muajin shkurt, përpara pushtimit rus.

Sipas sondazhit të fundit, 42% besojnë se Ukraina duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me NATO-n, por jo të anëtarësohet.

Lottaz, nga Instituti Waseda, thotë se pjesa më e vështirë e negociatave do të jetë ajo për garantuesit e sigurisë së Ukrainës, nëse Ukraina pajtohet për neutralitet. Pra, kush do jetë garantues i pranueshëm edhe për ukrainasit, edhe për rusët?

“Diçka që mund të imagjinoj është që rusët të pajtohen që Ukraina, në afat të gjatë, të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Jo menjëherë, por kjo derë të lihet hapur. Pastaj, kur të realizohet, BE-ja do të bëhej garantuese e sigurisë së Ukrainës, sepse BE-ja e ka politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, e cila në vetvete është një formë e garancisë së sigurisë”, thotë Lottaz.

Katharine A. M. Wright, ligjëruese e politikës ndërkombëtare në Universitetin Newcastle, pajtohet se neutraliteti i Ukrainës është zgjidhja, por thotë se formulimi duhet të bëhet në atë mënyrë që Putin të mund ta paraqesë si fitore para popullit të tij.

Plani i fitores së shpejtë të Putinit në Ukrainë ka dështuar dhe ai duhet ta shpëtojë fytyrën, thotë Wright për Exposenë.

“Mendoj se diplomacia është rrugëdalja nga kjo luftë dhe, rrjedhimisht, një neutralitet që është i pranueshëm për të gjithë shoqërinë e Ukrainës. Por, sido që të përfundojë lufta, duhet të gjendet një mënyrë që, për fat të keq, mund t’ia shpëtojë fytyrën Putinit dhe të mos duket si dështak përpara popullit rus, sepse kemi të bëjmë me një diktator, jo me demokraci”, thotë Wright.

Ideja e neutralitetit të Ukrainës po trumbetohet në një kohë kur disa vende të tjera neutrale në Evropë po mendohen t’i bashkohen aleancës ushtarake të NATO-s.

Lufta në Ukrainë ka bërë që Finlanda dhe Suedia të ndjehen të ekspozuara ndaj Rusisë, thotë Leos Muller, historian në Universitetin e Stokholmit. Por, ai dhe bashkëbiseduesit e tjerë të Exposesë thonë se kjo nuk duhet ta stepë Ukrainën nga neutraliteti i saj, pasi, sipas tyre, ai është opsioni më real për fundin e luftës.

Në fakt, neutraliteti mund të zgjidhë një dilemë, por me siguri që marrëveshja e negociuar midis Rusisë dhe Ukrainës do të duhej të adresonte edhe çështje të tjera përtej.

Disa nga kërkesat që Putin ka paraqitur më herët, përfshijnë edhe të ashtuquajturin “denazifikim” të Ukrainës, edhe pse pretendimet e tij se Qeveria ukrainase është një juntë neo-naziste, nuk kanë asnjë bazë.

Në diskutim patjetër se pritet të jetë çështja e territoreve, çfarë do të bëhet me Gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar nga Rusia, me rajonin e Donbasit që ka shpallur pavarësinë e të tjera.

Larg tryezave të bisedimeve qytetet e Ukrainës vazhdojnë të jenë skena të sulmeve dhe luftimeve të ashpra.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i cili po ndihmon në ndërmjetësimin e negociatave, ka thënë se “nuk është lehtë të negociosh, derisa lufta vazhdon dhe civilët vdesin”.

Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar vrasjen e mbi 1,100 civilëve deri në fund të marsit.

Lajmet Neutraliteti – statusi që mund t’ia rikthejë sigurinë Ukrainës >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Mentor Barani

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!