Kushtetuesja vendos pro Kastratit, kundër MAShTI-t (VIDEO)

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar se Ministria e Arsimit ka tejkaluar kompetencat kur mori vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar në Kamenicë një vit më parë në objektet shkollore që ishin pjesë e ri-organizimit me vendim të komunës.

Në aktgjykimin e publikuar të premten theksohet se MAShTI ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të komunës së Kamenicës.

Pas kësaj, ish-kryetari, Qëndron Kastrati, i cili në kohën sa ishte drejtues i komunës kishte dërguar lëndën në Kushtetuese kërkoi që ministrja Arbërie Nagavci të dorëhiqet.

Sipas tij, ajo ishte e vetëdijshme se po bënte shkelje në kohën kur mori vendimin, meqë Kastrati thotë se e ka informuar në lidhje me këtë, por që sipas tij, ministrja kishte qëllime elektorale.

Kastrati deklaron se nëse Nagavci nuk liron pozitën krijon mundësi që edhe zyrtarë tjerë të shkelin qëllimshëm Kushtetutën për ta dëmtuar dikë.

Nëse do ta bëjë këtë Nagavci nuk dihet, meqë ajo deklaroi për Klan Kosovën se ende nuk e ka lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, shtoi se vendimi për organizimin e mësimit të përshpejtuar ishte obligim që rrodhi pas dështimit të nivelit lokal për t’i garantuar fëmijëve të drejtën për shkollim.

Pas humbjes së Kastratit në Kamenicë, kryetari i ri, Kadri Rahimaj, kishte shfuqizuar vendimin për ri-organizim pjesërisht, e më pas ka kërkuar që edhe lënda në Gjykatën Kushtetuese të mos trajtohet, por që diçka e tillë është refuzuar.

Në proces gjyqësor rasti i shkollave është edhe mes qeverisjes aktuale dhe ish-kryetarit, meqë ky i fundit e kontestoi shfuqizimin e vendimit të tij. Pas kësaj, aktualisht për katër shkolla ka vendim për masë të përkohshme, për të cilën Kastrati thotë se nuk po respektohet.

 

Lajmet Kushtetuesja vendos pro Kastratit, kundër MAShTI-t (VIDEO) >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!