Ku “gabojnë” politikanët kosovarë me Instagramin?

Afro 200 mijë është numri më i lartë i ndjekësve për një profil ‘politik’ në Instagram në Kosovë, dhe këtë llogari e posedon kryeministri, Albin Kurti.

E pas tij, që ka saktësisht 193 mijë ndjekës, e dyta radhitet presidentja Vjosa Osmani. Ajo ndiqet nga 120 mijë sish. Derisa kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka afro 13 mijë “followersa”

Por, për dallim prje tre drejtuesve të shtetit, krerët e partive më të mëdha në Kosovë nuk kanë arritur ende të ‘kapin’ 100-mijëshin në Instagram.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ndiqet nga afro 65 mijë ndjekës. Ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nga rreth 15  mijë, ndërsa Lumir Abdixhiku, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga diçka më shumë se 11 mijë. E nëse gjithë këta krahasohen me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i bie se ai ka më shumë ndjekës në këtë platformë se krejt këta së bashku.

Por, pavarësisht shifrës prej 193 mijë personave që përcjellin shefin e qeverisë kosovare në këtë rrjet social, pëlqimet sillen nga rreth 10 mijë, derisa janë të rralla postimet që kanë arritur mbi 40 mijë sosh.

Përqindje të vogël pëlqimesh kanë edhe liderët e tjerë.

Pse ndodh kjo? – Përgjigjen në këtë pyetje e ka dhënë njohësi i rrjeteve sociale, Oltion Beshiri për Klankosova.tv.

“Ka shumë arsye pse platformat me qindra mijëra ndjekës të kenë numër të vogël të pëlqimeve, por disa prej arsyeve janë që ndjekësit nuk ndjekin postimet e faqes së caktuar por vetëm e ndjekin atë faqe, e shumë prej tyre mund edhe të mos jenë aktiv çdo ditë në rrjete sociale, dhe në momentin që ata ‘aktivizohen’, postimin e caktuar veç mund ta quajmë të vjetër”, vlerëson Beshiri.

Ai është i mendimit se politikanët kosovarë gabojnë pasi nuk postojnë mjaftueshëm, dhe koha kur ata aktivizohen më shumë, është periudha e zgjedhjeve.

“Kuptohet qartë që koha kur politikanët ndiqen më së shumti në rrjete sociale, dhe postimet e tyre kanë ‘sukses’ është gjatë kohës së zgjedhjeve për shkak që ata i përdorin platformat e tyre për të ndërvepruar me votuesit potencial. Por, gabimi që bëhet është që pas një muaji të kampanjave ata ndalen dhe pastaj për katër vjet (apo sa zgjat mandati) ata janë shumë të heshtur, e shumica prej tyre nuk postojnë fare. Ky është gabim strategjik i çdo personi që bëhet pjesë e politikës për shkak që komunikimi me qytetarët, përmes platformave online, duhet të bëhet çdo ditë. Sa më shumë postime të cilat janë relevante me temat që po ndodhin aktualisht, aq më mirë për politikanët”, thotë ai.

Beshiri tutje tha se Instagrami kuptohet si një platformë për persona në moshë më të re, që sipas tij, kanë pak interesim për politikën.

“Në Kosovë, në përgjithësi ka një tendencë që njerëzit të ndjekin politikanët në masë të madhe në të gjitha rrjetet sociale. Por, më e vështirë për politikanët është qasja e tyre në Instagram, pasi Instagram-i kuptohet si një platformë për persona në moshë më të re, të cilët kanë pak ose aspak interesim për politikën, dhe nuk i kushtojnë rëndësi postimeve të tyre, pra nuk ndërveprojnë me ato postime edhe pse mund t’i ndjekin”, shtoi ai.

Sipas tij, “përdoruesit politikë” duhet të jenë çdo ditë aktivë.

“Unë mendoj që numër ‘magjik’ të postimeve nuk ka, por sidomos për politikanët të cilët janë pjesë e ekzekutivit, ata duhet të jenë çdo ditë aktivë. Nëse nuk munden personalisht për shkak të angazhimeve, në Kosovë ka ekspertë të rrjeteve sociale të cilët unë besoj që me shumë kënaqësi do të ju ndihmonin që ta zhvillonin komunikimin me audiencën”.

Më tej, njohësi i rrjeteve sociale, përmendi edhe profilet e rrejshme, të cilat sipas tij, dallohen nga mënyra e komentimit tek shumë profile në të njëjtën kohë.

“Instagram është një platformë e cila ka numër të madh të profileve të rrejshme. Shumë faktor ndikojnë në identifikimin e ndjekësve të rrejshëm, e disa prej tyre përfshijnë, numrin e personave që ndjekin por pak i atyre që e ndjekin X profilin, shumë pak fotografi apo aspak të postuara, por numër i madh i personave që ndjek, informatat jo-relevante në krahasim me profilin, shumë prej tyre mund të dallohen nga mënyra e komentimit tek shumë profile në të njëjtën kohë”, tha Beshiri.

Liderët politikë përdorin kryesisht Facebookun, e me raste edhe Twtterin.

Lajmet Ku “gabojnë” politikanët kosovarë me Instagramin? >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!