Abdixhiku: LDK nuk e voton asnjë nismë parlamentare pa themelimin e komisionit hetimor për rrymën

E vërteta rreth zhvillimeve në fushën energjetike do të zbardhet.
Kështu vlerëson kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas dështimit të themelimit të një Komisioni Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.
“Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike – një kërkesë legjitime e jona për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%. Pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK”, është shprehur Abdixhiku, transmeton KlanKosova.tv.
“Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të”.
Ai ka shtuar se LDK nuk do të votojë asnjë nismë në kuvend pa u votuar ky komision.
“Sot, s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë – e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion. Kushdo që frikohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë. Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë – asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
Sipas tij sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të parlamentit mbi qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese.
“E njëjta s’mund të vazhdojë”, është shprehur.
Lajmet Abdixhiku: LDK nuk e voton asnjë nismë parlamentare pa themelimin e komisionit hetimor për rrymën >> Rahoveci.info.