Motra e Ukshin Hotit kujton takimin e fundit me të, ndihet e zhgënjyer nga institucionet

Edhe 23 vjet pas zhdukjes së dhunshme, Ukshin Hoti, filozofi i shquar nga Krusha e Rahovecit, vazhdon të figurojë në listën e personave të pagjetur. Megjithatë, kujtimet e familjarëve e shokëve të tij, janë ende të gjalla.

Myrvete Hoti, motra e veprimtarit të çështjes kombëtare, ende e kujton qartësisht takimin e fundit me të vëllain e saj.

Në një prononcim për Gazetën Nacionale, Myrvetja tregoi për shkak të transportit e trazirave në Kosovë, nuk arriti ta takonte pas shkurtit të 1999.

“Më 12 shkurt 1999 ka qenë takimi ynë i fundit. Pas 12 shkurtit nuk kam mundur më të shkojë për shkak të trazirave që u bënë, ndërsa udhëtimi i natës ishte i pamundur për shkak se nuk kishte transport fare, edhe prej atëherë më s’jemi takuar”, vazhdoi ajo.

Tutje, e motra e Ukshin Hotit s’i mohoi dot lotët e mërzinë, teksa tha se që nga momenti i zhdukjes së të vëllait, ditë të mirë nuk ka pasur.

“Po me thënë të drejtën, për mua këto, jo veç sot, po qysh nga fillimi, nga zhdukja e tij e deri më tani, unë asnjëherë nuk ndihem mirë. Por, për nga mërzia, këto ditë jam më shumë. Pra, ndihesh më keq. Edhe ke emocione mërzie e lot”, shtoi zonja Hoti.

Sikurse secilin përvjetor, Myrvetja nuk le pa e përmend faktin se edhe më tutje Ukshin Hoti vazhdon të jetë i pagjetur. Për këtë, ajo tregon se është e zhgënjyer nga autoritetet kosovare e ato ndërkombëtare, të cilat, sipas saj, nuk kanë bërë sa duhet për të zbardhur fatin e heroit.

“Edhe te faktori ndërkombëtar, edhe te shqiptarët, edhe te pala serbe, e kanë njohur Ukshin Hotin, m’u çu 23 vjet, mos me lënë derë pa trokitur, edhe letër pa shkru, dhe të mbesësh pa kurrfarë informate, kurrqysh nuk po mundem me bind veten time se është normale një gjë e tillë”, deklaroi ajo.

Por, ajo thotë se inati i saj është më i madh me autoritetet e Kosovës, duke theksuar se shqiptarët po e neglizhojnë çështjen e Ukshin Hotit.

“Të them të drejtën, shqiptare jam edhe vet, por po më vjen inati më shumë nga shqiptarët që po e neglizhojnë çështjen e tij deri në këtë masë sa nuk po bëhet asgjë deri tani për të”, shton Myrvete Hoti.

Motra e ish të burgosurit politik, thotë se ka të pamundur ta kuptojë se pse edhe pas 23 vjetësh të mos ekzistojë asnjë informatë për fatin e Ukshin Hoti.

“Të them të drejtën jam thellësisht e zhgënjyer, sepse fjala është për një njeri i cili ka qenë i ndërkombëtarizuar”, përfundon zonja Hoti.

Më 16 maj të vitit 1999, Ukshin Hoti u zhdukë për të mos u parë më kurrë. Fati i intelektualit e veprimtari Ukshin Hoti, emrin e të cilin e mban sot mbi supe “Universiteti i Prizrenit”, vazhdon të mos dihet.

Serbia, që është edhe përgjegjësja kryesore për vrasjen e tij, s’ka bërë asnjë lëvizje drejt zbardhjes së fatit të Hotit.

Kujtojmë se sot pa numër të konsiderueshëm të reagimeve në këtë përvjetor të zhdukjes, por mbetet që tani të bëhen edhe hapa konkretë të zbardhjes që deri më tani ka mbetur në hijen e zezë të këtij rrugëtimi dydekadash e mbi.

Biografia e Ukshin Hotit

I shkolluar për marrëdhënie ndërkombëtarë në Universitetin e Çikagos e Harvardit, Ukshin Hoti kishte ushtruar funksione të ndryshme në ish-Jugosllavi, përfshirë atë sekretarit për marrëdhënie me botën e jashtme të Kosovës gjatë viteve 70-ta.

Në vitin 1981, ishte ndër pak personat që përkrahu publikisht demonstratat popullore të kosovarë, të cilët kërkonin trajtim të barabartë në ish-Federatën e Jugosllavisë. Një përkrahje e tillë, i kushtoi me largim nga detyra e ligjëruesit në Fakultetin Filozofik e Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Në vitin 1982 burgoset për herë të parë, pasi mbrojti idenë e statusit të Republikës për Kosovën. Ai burgoset përsëri gjatë viteve 90-ta, saktësisht në vitin 1994, për shkak të aktivitetit të tij politik.

Për akuzën e dytë, Hoti u dënua nga ish-sistemi i Jugosllavisë me pesë vite burg, të cilin dënim e përfundoi më 16 maj 1999. Që nga ajo datë, Hoti mbetet në larginë – siç shkruante Ismail Kadare, shkrimtar i njohur shqiptar.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!