Parkingjet brenda Qendrës Historike të Prizrenit

Parkingjet brenda Qendrës Historike të Prizrenit
Rahoveci INFO – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Autor: OJQ EC ma ndryshe

Qarkullimi në rritje i automjeteve brenda Qendrës Historike të Prizrenit (QHP) po ndikon negativisht në këtë zonë të mbrojtur, ngase krahas degradimit po ngarkohen rrugicat dhe hapësirat brendaj saj. Dita e ditës numri i veturave po shtohet dhe me këtë natyrshëm po shtohet edhe kërkesa për parkingje. Në vitet e shkuara, për akomodimin e kësaj kërkese, kanë pësuar kryesisht ndërtesat e trashëgimisë vernakulare, duke dëmtuar përpjekjet për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, që gëzon mbrojtje ligjore.

Sipas nenit 12 të Ligjit 04/L-066 të Qendrës Historike të Prizrenit, në këtë zonë duhet promovuar mjetet jo-motorike të transportit: “Lëvizja e automjeteve; Organi kompetent komunal për rregullim të trafikut, harton planin dhe regjimin e posaçëm të transportit automobilistik për Qendrën Historike të Prizrenit me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lehtë dhe të vazhdueshme, duke promovuar mjetet jo-motorike të transportit”.

Duke e parë gjendjen aktuale të qarkullimit të mjeteve motorike, është shtuar dukshëm nevoja e hartimit të një Plani të Mobilitetit, i cili do të rregullonte qasjen e të gjitha kategorive rrugore brenda QHP. Kjo me qëllim që të pakësohet numri i automjeteve brenda QHP dhe të lirohen hapësirat e uzurpuara për lëvizje të lirë të këmbësorëve.

Me numër më të madh janë parkingjet private, të cilat janë krijuar duke u rrënuar shtëpitë tradicionale të qytetit të Prizrenit. Ato kryesisht janë brenda parcelave private, por të cilat po ndikojnë në shtimin e numrit të automjeteve brenda QHP.

Parkingjet e uzurpuara të cilët janë me numër shumë më të madh krahasuar me vitet e kaluara janë kryesisht ato mbi trotuare dhe në rrugë. Ato ndikojnë direkt tek pengesa e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe uzurpimeve të pronës publike.

Po ashtu janë identifikuar 3 parkingje publike të cilat shërbejnë për qytetarët të cilët mund të kryejnë shërbime brenda QHP, por që nuk rekomandohet që të parkohen mbi 1 orë.

Shtimi i numrit të automjeteve brenda QHP po ndikon në degradimin e qendrës dhe në ngarkesën e shumë rrugëve dhe hapësirave brenda saj. Dita e ditës numri i veturave po shtohet dhe të njëjtën kohë po shtohet edhe kërkesa për parkingje.

Zona brenda sheshit të Shadërvanit është zonë e qarkullimit me leje të veçantë, të cilët mund të pajisen vetëm banorët, bizneset dhe punëtorët publik të cilët punojnë brenda sheshit. Në gjendjen ekzistuese, në Shadërvan qarkullimi më i madh veturave është pa leje të veçantë, të cilët edhe po e ngarkojnë më shumë sheshin. Po ashtu nëse referohemi tek Plani i Konzervimit i QHP, tregohet qartë kategoria e rrugëve dhe mënyra e qarkullimit, ku specifikisht tregohet se në sheshin Shadërvani ndalohet plotësisht qarkullimi i mjeteve motorike. Duke u referuar në Planin e Konzervimit mund të jetë baza ndaj të së cilës mund të hartohet Plani i Mobilitetit. Ky plan qëllim kryesor ka menaxhimin e qendrës në aspekt motoristik, në të cilën kategorizohen shtresat rrugore, mënyra e lëvizjes së veturave dhe kufizimet e lëvizjeve.

Një qytet me më pak vetura do të kishte ndikim në krijimin e një ambienti më të pastër dhe më cilësor, do të lironte hapësirat e bllokuara, do të ishte më i qasshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët dhe do të ofronte vizura sa më të bukura të qytetit. Andaj rekomandohet që sa më parë të hartohet Plani i Mobilitetit dhe të fillojë implementimi i tij në mënyrë që të ulet degradimi i Qendrës Historike të Prizrenit.

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e agjencisë së lajmeve Rahoveci INFO.

OJQ EC ma ndryshe angazhohet për qëndrueshmëri ekonomike dhe qeverisje demokratike në nivel lokal (dhe rajonal) përmes mobilizimit të komunitetit, mbikëqyrjes së vendimmarrjes publike dhe partneritetit në zbatim të programeve dhe politikave zhvillimore.Trekëndëshi konceptual që do të orientojë punën e organizatës në pesë vitet e ardhshme (2020 – 2024) ka këto elemente: 1. Gjithëpërfshirjen, 2. Qëndrueshmërinë, dhe 3. Dijen. EC beson se demokratizimi dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm shtetëror është proces që duhet planifikuar dhe ndërtuar nga posht lart. Në thelb të qeverisjes demokratike qëndron hapja dhe përfshirja e të gjithëve në marrjen e vendimeve që kanë për synim të mirën e përbashkët, ndërsa planifikimi zhvillimor kërkon shfrytëzim racional të burimeve territoriale, pa e kompromituar përdorshmërinë e tyre nga gjeneratat e ardhshme. Si demokracia ashtu edhe zhvillimi duhen ndërtuar mbi bazën e dijes së shëndoshë që garanton vendime dhe veprime të mençura dhe vizionare.

Lajmet Parkingjet brenda Qendrës Historike të Prizrenit >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Redakcija B/H/S

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!