Peja nesër vendos për të luajtur apo mos luajtur kundër Trepçës

KB Peja ka ushtruar ankesë në Komisionin Arbitrar pas vendimit që Komesari i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës mori ndaj klubit pejan.

KB Peja u dënua me 7 mijë euro gjobë dhe me dy ndeshje pa praninë e tifozëve, pas incidenteve që ndodhen në ndeshjen e tretë gjysmëfinale mes Pejës dhe Trepçës, e cila u zhvillua të dielën në palestrën “Karagaçi”.

Vendimi i KG-së nuk është pranuar nga klubi pejan. Drejtori sportiv i këtij klubi, Arbër Elshani, për “Sportin në Fokus” në T7 ka zbuluar se janë ankuar për këtë vendim në Komisionin Arbitrar.

Elshani gjithashtu tha se shumica e anëtarëve në bordin e KB Pejës ishin të mendimit për të mos vazhduar garat duke e bojkotuar edhe ndeshjen e katërt gjysmëfinale ndaj Trepçës, por që një vendim final pritet që të merret nesër.

“Ne kishim sonte një mbledhje të bordit dhe vendosem që të apelojmë këtë vendim të Komesarit të Garave. Presim që ky komision të mblidhet nesër gjatë ditës dhe të jap verdiktin e vet. Ne aty kemi bashkëngjitë prova dhe fakte, argumente të cilat besojmë që faktojnë gjendjen në të cilën jemi të bindur se nuk ekziston ajo që ka përshkruar Komesari në vendimin e tij. Pra, nuk është as tentim sulmi ndaj lojtarit Purvis, as realizim i sulmit fizik, por ai çuni që e fshinë parketin, e ka prek pakëz me dorë lojtarin amerikan Purvis dhe ky nuk mund të krahasohet me rastin e Ivan Koljevicit, i cili ishte bërë për spital gjatë muajit nëntor dhe Trepça ishte dënuar njëjtë si ne tani. Pra, janë raste krejtësisht të ndryshme.  Ne e kemi deponuar ankesën pranë Komisionit Arbitrar, presim që ky komision të mblidhet nesër. Besojmë në kredibilitetin e këtyre anëtarëve dhe besojmë që do të dalim faqebardhë me vendim që këta kanë me e marrë. Shumica e anëtarëve të bordit të KB Pejës kanë pas mendim që ne nuk duhet të luajmë të enjten, por mendoj që pa marrë parasysh vendimin e Komisionit Arbitrar, bordi i klubit do ta thotë fjalën e fundit. Besoj se nesër ne do ta marrim vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje”, tha Elshani për “Sporti në Fokus” në T7.

Tutje, drejtori sportiv i KB Pejës foli edhe për prishjen e raporteve mes tifozëve të Pejës dhe Trepçës, të cilat ishin të mira deri në ndeshjen e dytë gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave, e cila u zhvillua më 12 maj në palestrën “Minatori”.

Elshani tha se në ndeshjen e parë kaluan mirë atje, por jo edhe në ndeshjen e dytë, të cilën pejanët ishin afër edhe ta fitonin.

“Ne shkuam dhe i zhvilluam dy ndeshje në Mitrovicë. Ndeshjen e parë ishte gjithçka ‘okej’ sepse ne e humbëm atë ndeshje. Ndërkaq, në ndeshjen e dytë, kur ne filluam të fitonim, ata u mërziten shumë dhe filluan të shanin. Nuk iu pëlqej që ne ishim duke fituar atje. Filluan ta shanin qytetin e Pejës, kapitenin [Dardan Berishën], filluan të na gjuanin me çdo lloji mjeti. Kanë gjuajtur edhe me ‘shrafa’. Basketbollistin e ri, Albin Berishën – 20 vjeçar, përpak kanë mundur ta lëndonin te syri. Nuk e di çka ka ndodhur me tepër se kaq, vetëm e di se edhe tifozët tanë ia kanë kthyer ‘Torcidës’ me sharje”, tha ai.

Ish-basketbollisti pejan foli edhe për ndeshjen e tretë, e cila u zhvillua në palestrën “Karagaçi”, ku ndodhen incidentet e fundit dhe pastaj u shqiptuan dënimet ndaj KB Pejës.

Ai ka fajësuar tifogrupin “Torcida” për nisje të konfliktit, teksa tregoi se edhe çfarë është gjetur në autobusët e tifozëve nga Mitrovica, të cilët kishin udhëtuar të dielën (15 maj) drejt Pejës.

“Ne në Pejë i kemi bërë të gjitha përgatitjet për organizim të ndeshjes, kanë qenë mbi 250 policë dhe 30 persona nga sigurimi privat, të cilët deri në minutën e fundit të ndeshjes e kanë kryer punën siç duhet. Çka ka ndodhë në fund aty kur ‘Torcida’ e hedh atë fishekzjarrin te masa, tek tribuna e mesit, unë nuk e di arsyen, por e di që tifozëria mitrovicasve e ka nisë e para konfliktin. Para kësaj, unë jam i habitur se si FBK-ja nuk po e kërkon raportin e Policisë së Pejës. Policia tifozëve mitrovicas iu ka gjetur në autobus armë të ftohta, pistoleta, thika, sasi narkotike. Këto u janë konfiskuar. Madje, dy anëtarë të tyre i kanë dërguar në stacionin policor. Nuk e di se si janë futur në palestër pasi deri në çerekun e dytë nuk kanë qenë prezent. Kur ata kanë hyrë, kanë filluar menjëherë me ofendime. Unë i mbaj mend dy personat e parë kur kanë hyrë, kur janë kapur nga organet përkatëse. Nga momenti i hyrjes, ‘Torcidat’ kanë filluar me ofendime, sharje e fyerje. Unë besoj që këtu kishte skenar të përgatitur mirë. Ky skenar është realizuar deri diku. Kjo është çka kam parë unë. Pastaj, nëse ‘Torcidat’ kanë pritur që tifozëria pejane do t’i pret ata me ‘pop-kek’, mendoj se kanë gabuar rëndë”, deklaroi drejtori sportiv, Arbër Elshani.

Kujtojmë se ndeshja e katërt gjysmëfinale në kuadër të fazës së “Play-Off”-it mes Pejës dhe Trepçës është e paraparë për t’u zhvilluar të enjten (19 maj), në palestrën “Karagaçi”.

Por, fillimisht mbetet të shihet nesër se cili do të jetë vendimi final nga bordi i KB Pejës, pasi nuk përjashtohet mundësia që kjo ndeshje të bojkotohet nga “verdhezinjtë”.

Ndryshe, Trepça po udhëheq në serinë gjysmëfinale 2:1. Skuadra që regjistron e para tri fitore kalon në finale, atje ku tashmë ka siguruar pjesëmarrjen Golden Eagle Ylli./Rahoveci info&T7/

Lajmet Peja nesër vendos për të luajtur apo mos luajtur kundër Trepçës >> Rahoveci info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!