Vizitat maratonike të liderëve shtetëror!

Vizitat maratonike të liderëve shtetëror!
Rahoveci INFO – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Shkruan: Florim ZEQA

Historia e vizitave maratonike të politikanëve dhe liderëve shtetëror jashtë vendit është e gjatë sa vet historia e shtetit të Kosovës! Përderisa vizitat e pushtetarëve paraprak ishin më të shkurtra, ato ishin më të mëdha në numër. Ndërsa vizitat e pushtetarëve aktualë janë në numër më të vogël, por në kohëzgjatje të pafund!

Mërgimtarët zemërgjerë dhe dorëlirë nuk do t’i lënë krejt duarbosh!

Jemi duke hyrë në javën e tretë, kur dy liderët shtetëror, presidentja dhe kryeministri po “sakrifikohen” për të mirën e shtetit, pa ua qajtur askush hallin për “vuajtjet” në vendet e largëta!

Nuk është e lehtë të jesh lider shtetërorë, ku përveç shkëputjes shpirtërore, ndodhë edhe shkëputja e gjatë fizike nga populli i “dashur”, për t’i siguruar atij ardhmëri!

Është hera e parë në historinë më të re të Kosovës kur dy liderët shtetërorë (presidentja dhe kryeministri) shkojnë të ndarë në vizita të gjata dhe maratonike jashtë vendit, pa protokoll dhe pa agjendë shtetërore.

Vizitat e gjata (dy javore) edhe pse në të njëjtën kohë, të liderëve tonë shtetëror, të ndara në disa kontinente nuk guxojnë të përfundojnë pa asnjë rezultat! Pra, presidentja dhe kryeministri me ekspeditat e tyre familjare dhe partiake nuk do të kthehen krejt duarbosh në Kosovë!

Pasi janë mërgimtarët, ata që po përkujdesen për menaxhimin e vizitave “zyrtare” dhe private me biznesmen dhe qytetar, drejtues korporatash, shoqata dhe klube të bashkatdhetarëve në metropolet e njohura botërore.

Largimi i kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani nga Uashingtoni pa u takuar me presidentin Biden dhe me asnjë zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit është tepër shqetësuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës!

Edhe pse mbështetësit e partisë (ve) në pushtet po mundohen t’i arsyetojnë vizitat e dështuara të liderëve tonë shtetërorë duke e akuzuar sekretarin amerikan të shtetit, Anthony Blinken për pamundësimin e takimit me presidentin Joe Biden, e vërteta është krejt ndryshe.

Politika amerikane nuk ndërtohet mbi simpati apo inate personale, por në bazë të parimeve dhe bashkëpunimit reciprok, jo në bazë të politikave ditore por të strategjive dhe projeksioneve afatgjata të politikës shtetërore.

Vizitë që lë shumë për të dëshiruar

Vizita e Albin Kurtit në Amerikë më shumë po i ngjanë një vizite të një biznesmeni entuziast sesa një kryeministri të një shteti të pavarur dhe sovran. Vizita e tij nëpër kompani të njohura në fushën e informacionit dhe teknologjisë kompjuterike, të ngjason në kureshtjen e një studiuesi fillestar për të mbledhur njohuri profesionale në fushën e teknologjisë informative.

Për dallim nga Albin Kurti, Vjosa Osmani në mungesë të takimit me presidentin e ShBA-ve Joe Biden, vizitën në ShBA e shfrytëzoi për takime me personalitete të rangut të dytë dhe të tretë, më shumë për ta promovuar veten si presidente në vend të përfaqësimit dinjitoz të shtetit që përfaqëson.

Edhe pse të ndarë në vizita, e përbashkëta e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani është kostoja e mbullimit të shpenzimeve dy javore 100 % nga buxheti i shtetit.

Dallimi mes politikanëve dhe mërgimtarëve

Për dallim nga liderët shtetërorë dhe politikanët që bëjnë ekskursione të gjata jashtë vendit, duke shijuar të gjitha mrekullitë e kësaj bote me paratë e taksapaguesve të varfër kosovar, ne mërgimtarët për vizitat dy-tre javore në vendlindje i harxhojmë të gjitha kursimet vjetore për të shijuar aromën e atdheut tonë të dashur dhe kthehemi përsëri me xhepat bosh në vendet evro-perëndimore!

Ndërsa politikanët dhe liderët shtetërorë në veçanti, shkojnë jashtë shtetit me xhepat plot, e kthehen këndej me thasët plot si produkt i faturave të fryra në emër të shpenzimeve për të “mirën” e shtetit!

Në anën tjetër, lideri opozitar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i befasoi të gjithë me vizitën revanshuese ndaj liderëve shtetërorë duke i vizituar “sportet” e rënda luftarake dhe mërgatën tonë në ShBA!

Urojmë që liderët shtetërorë dhe partiak t’na kthehen shëndosh e mirë në vendlindje, duke i gëzuar qytetarët me lajmet e mira për investime kapitale dhe arritjen e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, në të kundërtën, nëse brenda tre muajve nuk vjen së paku një investitor i fuqishëm dhe një njohje, nuk ia vlen “barra qeranë” siq thotë popullim për shkak se kostoja e këtyre vizitave e lehtëson dukshëm arkën e shtetit!

Lajmet Vizitat maratonike të liderëve shtetëror! >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Mentor Barani

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!