Ahmeti: S’çohet Bideni në mëngjes me thanë ‘Çka u bo sot në Kosovë?’ (VIDEO)

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Kosova nuk duhet të nënshtrohet ndaj ShBA-së, por as nuk duhet ta mendojë veten se është në qendër të vëmendjes së shtetit më të fuqishëm në botë dhe aleatit të saj më të madh.

“Nëse s’duam me pasë marrëveshje me Serbinë, atëherë po dalim edhe prej dialogut edhe po i bëjmë krejt resurset vetë. Nuk jam defetist, e as nuk mendoj që duhet me qenë servil ndaj Amerikës. Megalomaninë duhet me lon pak anash, se nuk çohet Joe Biden në mëngjes edhe me thanë ‘Çka u bo sot në Kosovë?’. Këtë duhet ta kuptojmë”.

“Albini mendojke që kur fiton Biden i ndryshon qasja ndaj Vetëvendosjes, Amerika është anije e madhe dhe nuk i ndryshon qasjet si na këtu. Ka politika të jashtme që ndryshojnë. Joe Biden shumë mirë që është, sepse ai së paku e di ku është Kosova dhe janë disa njerëz që janë të njoftuar, megjithatë nuk janë vitet e 90-ta kur gjysma e Departamentit të Shtetit kanë qenë njerëz që kanë punuar në Kosovë”.

Ahmeti, në “Rubikon” të Klan Kosovës, i ka komentuar edhe takimet e delegacionit amerikan, që javë më parë ishte në Prishtinë, me partitë opozitare si politikë e zakonshme e tyre.

“Nuk mbaj mend ndonjë periudhë ku ShBA-ja dhe BE-ja janë takuar me qeverinë e nuk kanë shku me u taku me opozitën. Unë mendoj që po e shohin që edhe nëse ka marrëveshje me Albin Kurtin duhet të ketë dakoordim nga Ramush Haradinaj [AAK], PDK-ja dhe LDK-ja, që për ta gjithmonë është konsideruar pak më e lehtë me e bind për qëndrime. Fakti që në delegacionin amerikan ishte edhe personi i dytë në NATO për Evropë tregon që kanë sjellë mesazhe që kanë të bëjnë me sigurinë”.

Ai thotë se kryeministri Albin Kurti duhet ta shfrytëzojë momentumin dhe të nxjerrë marrëveshjen më të mirë me Serbinë, pasi kjo e fundit s’është në pozitë të mirë para ndërkombëtarëve për shkak të mossanskionimit të Rusisë.

“Nuk ka qenë Serbia në pozitë më të keqe që 6-7 vjet për shkak të presionit që po i bëhet për Rusinë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë dhe ta nxjerrim marrëveshjen më të mirë të mundshme. Lehtë është me fol, por në momentin kur je në qeverisje duhet ta kesh parasysh që po e mban në duart e tua fatin e krejt Kosovës. Qysh mundesh me bo mirë tu rezistu mundesh me bo edhe keq. Nuk prishen marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën se kryeministrat në Kosovë dhe presidentët në Amerikë vijnë e shkojnë, por megjithatë ka periudha kur mund të japin ndihmë, ka periudha kur nuk ju intereson edhe ka periudha kur angazhohen. Asnjë anëtarësim nuk ka ecur kur nuk janë angazhuar amerikanët”.

Lajmet Ahmeti: S’çohet Bideni në mëngjes me thanë ‘Çka u bo sot në Kosovë?’ (VIDEO) >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!