Media serbe: “Nuk ka varr masiv afër minierës së Shtavalit” (FOTO)

Ka përfunduar kërkimi i lokacionit të minierës së Shtaval, që ndodhet në afërsi të Sjenicës, për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pas dy javësh kërkime, në këtë vend nuk u gjet asnjë mbetje, shkruan nova.rs, transmeton Rahoveci INFO.

Sipas Zyrës për Persona të Zhdukur në Serbi, kërkimet janë ndërprerë, ndërsa terreni do të kthehet në gjendjen e tij origjinale.

Ky medium bën të ditur se kërkimi ka filluar më 10 maj dhe organet kompetente shtetërore të Serbisë kanë punuar në bazë të urdhrit të Prokurorisë për Krime Lufte. Kryerja e aktiviteteve në lokacionin e minierës Shtaval ishte e një rëndësie të veçantë për familjet e personave të zhdukur, të cilët me vite të tëra po përpiqen t’i gjejnë dhe varrosin me dinjitet eshtrat e të dashurve të tyre.

“Punimet zgjatën plot 13 ditë pune. Në këto lokacione u kontrolluan mbi shtatë mijë metër kub materiale të ndryshme. Dhe me siguri mund të themi se mbetjet nuk u gjetën. Ne do të fillojmë ta rikthejmë lokacionin në gjendjen e tij origjinale. Lokacionet që kemi kërkuar në Serbi, pavarësisht nga burimi dhe besueshmëria e informacionit, janë kontrolluar të gjitha. Nuk kemi injoruar asnjërën prej tyre”, tha Veljko Odaloviq nga Komisioni për Persona të Zhdukur, shkruan nova.rs, transmeton Rahoveci INFO.

Komisioni serb për persona të pagjetur thotë se deri më tani kanë zbardhur dhe identifikuar mbi 1800 raste të personave të zhdukur. Nga ky numër, rreth 1500 ishin trupa shqiptarë të Kosovës dhe pjesa tjetër ishin serbë të Kosovës. Rreth 1600 të tjerë janë të zhdukur për momentin.

“Ky bashkëpunim është vendimtar, sepse është e nevojshme që familjeve të të pagjeturve t’u jepet përgjigje se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre. Të gjithë jemi këtu për shkak të familjeve të të zhdukurve. Ka kaluar shumë kohë dhe duhet të nxitojmë në dhënien e përgjigjes. E dimë që fatkeqësisht shumë familjarë kanë ndërruar jetë gjatë gjithë këtyre viteve, por është detyra jonë t’u japim përgjigje”, tha Martina Fava nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Përveç organeve shtetërore, në lokacionin afër minierës së Stavaljit ishin të pranishëm edhe ekspertë gjyqësorë dhe minierë-gjeologjikë nga Serbia, EULEX-i, UNDP-ja dhe delegacione nga Grupi Punues i Prishtinës për Persona të Zhdukur./nova.rs

Lajmet Media serbe: “Nuk ka varr masiv afër minierës së Shtavalit” (FOTO) >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!