Abdixhiku: Vendi ynë është peng i popullizmit, arrogancës së pushtetit dhe jokompetencës qeverisëse

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur takimet me qytetarë për planifikimin e programit qeverisës.

Në kuadër të nismës për takime rajonale, të enjten mbrëma, në Lipjan, u tha se në vjeshtën e këtij viti do të publikohet programi “Lidhja për të Ardhmen”, për çka u potencua se do të përfshihen edhe kërkesat e qytetarëve.

Gjatë takimit me qytetarë të rajonit të Prishtinës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të ofrojë qeverisje të pastër, profesionale dhe gjithëpërfshirëse.

“Ne do të ofrojmë qeverisje të pastër, të zotë, profesionale dhe gjithëpërfshirëse. Në anën tjetër, do të fillojmë me një program politik, që është përparimtar dhe progresiv dhe zhvillimor për të gjithë Kosovën. Sot do të flasim për digjitalizimin, planifikimin dhe transformimin e shërbimeve komunale”, tha ai.

Abdixhiku nuk la pa kritikuar edhe Qeverinë Kurti, të cilën e quajti të paaftë.

“Kosovës sot i duhet një projekt i qartë politik dhe shpresëdhënës, që siguron zhvillimin ekonomik dhe euroatlantik. Kosova s’e ka luksin të mbesë peng i së shkuarës dhe aq më pak popullizmit dhe propagandës… Vendi ynë është peng i popullizmit, arrogancës së pushtetit dhe jokompetencës qeverisëse. Për këtë arsye jeta e qytetarëve tanë nuk ka qenë kurrë më e pasigurt sikurse siç është e ardhmja euroatlantike. Pushteti popullist ka kohë që ka treguar dhe dëshmuar paaftësinë në Kosovë. Këtë paaftësi sot gjejmë në krizën e jashtëzakonshme ekonomike, çmimet e larta, zymtësinë qeverisëse në politikë të brendshme dhe të jashtme”, tha ai.

Nga ana tjetër, tre kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës që vijnë nga LDK-ja premtuan digjitalizim më të madh.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se krijimi i “Prishtinës së mençur” është prioritet i tij.

“Aspekti i digjitalizimit në komuna, respektivisht në Prishtinë, është një proces me interes të madh, për arsye se na mundëson qasjen në informata… Përmes ‘Prishtina Online’ qytetarët do të kenë një qasje të lehtë dhe transparente në formën digjitale”, tha ai.

Përkrahje për idetë inovative ofroi edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

“Lipjani e ka ofruar një model të mirë qeverisës, Lipjani është një storie e suksesit, jo vetëm në transformim vizual, por transformimi i madh në Lipjan ka ndodhur në të gjitha sferat”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari i komunës se Obiliqit, Xhafer Gashi, mes tjerash, tregoi edhe arsyet e bashkëngjitjes së tij në LDK.

“Kur e kam pyetur Lumin, çka bën t’i për Obiliqin, më ka thënë veç një fjalë, ‘Do t’i trajtoj qytetarët e Obiliqit si të gjithë qytetarët e Kosovës’. As nuk na ka premtuar ministra, apo pozicione, por vetëm se qytetarët e Obiliqit do t’i trajtojë njëjtë si gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

LDK-ja do të mbajë gjithsej shtatë takime rajonale me qytetarë në të gjithë Kosovën.

Lajmet Abdixhiku: Vendi ynë është peng i popullizmit, arrogancës së pushtetit dhe jokompetencës qeverisëse >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!