Rohde: S’jemi kundër restaurimit të shtëpive të vjetra, por Xhafer Deva ishte kolaboracionist nazist

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë se nuk janë kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Rohde, që kishte reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e kësaj shtëpie, thotë se nuk kanë problem me restaurimin e shtëpive historike, por me figurën e Xhafer Devës për të cilin thotë me bindje se ka qenë kolaboracionist nazist që ishte pjesë e divizionit famëkeq “Skanderbeg”.

“Ky është një vlerësim i gabueshëm. Ne nuk kemi asgjë kundër renovimit të shtëpive historike. Në Gjermani…Ne kemi kundërshtuar, kur është thënë shtëpia e Xhafer Devës. Duhet të njihet figura e Xhafer Devës. Ai ka qenë një kolaboracionist dhe protagonist i Divizionit-SS “Skanderbeg”. Natyrisht kjo mund të ndahet dhe thuhet po e renovojmë këtë shtëpi në Mitrovicë të Xhafer Devës. Mund madje të thuhet se Xhafer Deva ka banuar aty, apo se prindërit e tij kanë banuar në të. Në Gjermani renovohen mijëra shtëpi, të cilat kanë një të kaluar të errët. Por…”.

“Problemi qëndron në atë se nëse në Gjermani do të thuhej do të renovohet shtëpia e Adolf Hitlerit… Shkëlqyeshëm. Pa pasur vlerësim për personin dhe pikërisht personi duhet të vlerësohet. Duhet të thuhet, shtëpia do të renovohet, por Xhafer Deva ka qenë një personalitet tejet kontrovers”, deklaroi ai në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën.

Ambasadori gjerman tha se duhen pyetur institucionet kosovare nëse do të vazhdojnë ose jo punimet, që tashmë janë pezulluar, në restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës.

Rohde deklaron se s’e ka njohur më parë figurën kontroverse të Xhafer Devës dhe se është informuar së voni për të.

“Ajo çfarë kemi thënë ne, është se çëshjta nuk mund të neutralizohet: “Shumë bukur, po renovohet shtëpia e Xhafer Devës.” Kjo tingëllon, sikur ai të kishte qenë një njeri i mrekullueshëm. Unë nuk e kam njohur Xhafer Devën më parë dhe tek pasi kjo më ka tërhequr vëmendjen, jam informuar paksa”.

Madje, ai thotë se ka lexuar edhe libra dhe një raport të Forcave Ushtarake Gjermane në Shqipëri që flet se divizioni famëkeq “Skanderbeg” s’do të ishte formuar pa Xhafer Devën.

“Kam këtu tre libra rreth pushtimit gjerman në Shqipëri: “Albania at ëar”, “Albanische Muslime in der Ëaffen-SS”, … në të gjitha këto trajtohet figura e Xhafer Devës. Këtu kam edhe një raport final të Forcave Ushtarake Gjermane në Shqipëri. Për ta thënë qartë: gjermanët kanë qenë të këqinjët. Ne e kemi filluar Luftën e Dytë Botërore dhe gjithandej (ushtria gjermane) i ka shfrytëzuar forcat vendore për t’i angazhuar ato. Në këtë raport të Forcave Ushtarake Gjermane për Xhafer Devën shkruan: “…kundrejt këtyre personaliteteve, ne tek kosovarët e kemi Xhafer Devën shtyllë të politikës gjermane”.

“Po, ky është një dokument gjerman dhe këtu kemi edhe historianë zviceranë, historianë shqiptarë, historianë amerikanë, të cilët gjithashtu shkruajnë se ai,… pa të nuk do të ishte formuar Divizioni-SS “Skanderbeg”. Ai ka qenë njëri nga rekrutuesit kryesorë. Ai ka qenë gjithashtu një bashkëpunëtor i inteligjencës gjermane”.

Ambasadori gjerman kundërshton historianët nga Kosova dhe Shqipëria, dhe familjarët e Xhafer Devës, të cilët thonë që ai nuk ka qenë kolaboracionist i nazistëve dhe se ai ka shpëtuar hebrenj.

“Atëherë, në këto libra ka kapituj mbi historinë e hebrenjve. Në të gjitha rajonet e pushtuara nga gjermanët ka pasur shfarosje të hebrenjve. Vendi i vetëm ku ka pasur më shumë hebrenj gjatë pushtimit gjerman, ka qenë Shqipëria. Por ky nuk është rasti në Kosovë. Në Kosovë Divizioni-SS “Skanderbeg” ka shfarosur hebrenj dhe në këtë ka marrë pjesë edhe Xhafer Deva. Kjo thuhet në këto dokumente dhe unë mund t’jua jap ato. Sepse nuk mund tani t’i citoj të gjitha.”.

Joern Rohde thotë se Gjermania s’është kundër restaurimit të një shtëpie të vjetër, por e ka kritkuar faktin që nuk është komentuar fare se kush ka qenë Xhafer Deva.

“Shtëpia mund të rinovohet, por me një klasifikim dhe vlerësim të kësaj figure. P.sh. Në këtë shtëpi ka banuar Xhafer Deva, një figurë shumë kontroverse…dhe që duhet të përshkruhet saktësisht me anët e errëta, …me të gjitha anët. Por jo të thuhet se ai ka qenë një figurë e mrekullueshme, apo të lejohet të krijohet kjo përshtypje. Ky thjeshtë ka qenë problemi. Unë kurrë nuk jam shprehur kundër renovimit të një shtëpie, asnjë nuk është shprehur kundër. Ne vetëm e kemi kritikuar faktin që nuk është komentuar fare se kush ka qenë kjo figurë. Dhe kjo duhet të ndodhë”.

Lajmet Rohde: S’jemi kundër restaurimit të shtëpive të vjetra, por Xhafer Deva ishte kolaboracionist nazist >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!