Skuadra mitrovicase fituese e Kupës së Kosovës

Skuadra e Mitrovicës është fituese e Kupës së Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave.

Në finalen e zhvilluar pasditen e së premtes në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, futbollistet mitrovicase triumfuan ndaj skuadrës së sapo shpallur kampione, EP-Com Hajvalia, me rezultat të ngushtë 2-1.

Ashtu siç pritej ndeshja finale solli rivalitet të madh dhe lojë të baraspeshuar, pasi përballë njëra-tjetrës ishin dy skuadrat më të mira në futbollin e femrave në këtë edicion.

Në pjesën e parë ishin futbollistet e EP-Com që shfaqën lojë më të mirë dhe ishin për një nuancë më të mira. Si rrjedhojë edhe arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 21-të, me golin e shënuar nga Albulena Guri.

Megjithatë, në pjesën e dytë mitrovicaset arritën të përmbysin gjithçka, duke realizuar dy gola të shpejtë. Fillimisht shifrat i barazoi Edona Kryeziu, në minutën e 58-të, derisa pesë minuta më vonë golin e epërsisë për Mitrovicën, e që në fund doli të jetë edhe goli i fitores e realizoi Kaltrina Biqkaj.

Në minutat e mbetura të ndeshjes vashat e skuadrës nga Hajvalia u përpoq të bëjnë çmos për të barazuar rezultatin, por përkundër disa mundësive të mira nuk ia arritën këtij qëllimi.

Në fund, medaljet për ekipet finaliste i ndanë nënkryetari Bakir Burri dhe anëtarët e KE-së, Vjollca Krasniqi dhe Ismajl Ajeti, derisa kupën kapitenes së Mitrovicës, Bardha Osmani ia dorëzoi Vjollca Krasniqi, që njëherësh është edhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave./Rahoveci info/

Lajmet Skuadra mitrovicase fituese e Kupës së Kosovës >> Rahoveci info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!