Sfidat e miqësisë virtuale!

Sfidat e miqësisë virtuale!
Rahoveci INFO – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Shkruan: Florim ZEQA

Po jetojmë në një kohë të pakohë, kur njerëzve u ka humbur ndjenja e atdhedashurisë, u ka humbur besimi në njëri-tjetrin por jo edhe krejt pa arsye. Ne mërgimtarët, të nxitur nga ndjenja e atdhedashurisë, sa herë që shkojmë në vendlindje mundohemi të takojmë sa më shumë njerëz të mirë për t’u mbushur me energji pozitive, në mënyrë që kur të kthehemi në vendet ku jetojmë t’i përballojmë më lehtë sfidat e jetës në dhe të huaj.

Fillimisht paraqiten si njerëz të mirë, por më vonë bëhen djaj të këqij

Shfrytëzimi i keq rrjeteve socialeve (Facebook, Twiter, etj.) nga një pjesë e njerëzve të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm në vendlindje për përfitime personale ka shkaktuar thyerje të mëdha shpirtërore tek një pjesë e mërgatës tonë.

Më shumë se një herë edhe vet kam rënë pre e mashtruesve ordinerë, por sa e sa mërgimtarë të tjerë janë viktima të mashtrimit nga shoqëria virtuale!

Për ta kuptuar më mirë këtë që po e them, po e ilustroj me një shembull personal.

Deri para një viti e kam pasur një mik virtual i cili më ndiqte në çdo shkrim që postoja duke më komentuar në vijimësi mbi shkrimet e mia, duke më dhënë komplimentet më të lartat të mundshme.

Vitin e kaluar gjatë pushimeve në vendlindje vendosa ta takoj “adhuruesin” tim të flaktë. Përmes telefonit u dakorduam për vendin e takimit. Para se të nisem në takim i ndava 5 librat e mi autorial për t’ia dhuruar mikut virtual.

Pasi e pimë nga një pije freskuese në lokalin e parë ku u takuam, miku virtual kërkojë që të ndërrojmë vend, me arsyetimin se ky nuk është vendi më adekuat për takim me një njeri me vlera siç jeni ju! Për të mos i prishur qefin mikut, shkuam edhe në lokalin tjetër, ku edhe aty vazhduam edhe me nga një pije tjetër. Gjatë gjithë kohës sa qëndruam së bashku, miku virtual nuk më lente rend për të folur. Të gjitha aftësitë intelektuale i shfrytëzonte për të më komplimentuar, siç thoshte ai, për kontributin tim madhorë në shërbim të çështjes kombëtare.

Siç dihet, në të shumtën e rasteve gjatë takimeve me miq në vendlindje pagesat i kryejmë ne mërgimtarët, jo për të treguar që kemi para, por me qëllim të kursimit të bashkëvendësve tonë, prandaj në të dy lokalet pagesat i kreva unë.

U ndamë nga njëri-tjetri me përshtypjet më të mira, me dëshirën që të takohemi përsëri gjatë ditëve të pushimit. Pa mbërritur në shtëpi, miku im virtual, e kishte bërë një postim të gjatë në Facebook me fotot nga takimi, me ç’rast i kishte vlerësuar lartë librat 5 e dhuruar nga ana ime.

Shoqëria e interesit zgjat pak dhe iken si vesa e mengjesit

Mirëpo, çfarë ndodhi të nesërmen!

Herët në mëngjes më erdhi një mesazh në inbox: “Përshendetje miku im, uroj dhe shpresoj të ini mirë familjarisht! Miku im më fal se po të ngushtojë shumë unë! Jam shumë ngushtë unë! Po më nevojitet një shumë prej…! Pasha besën deshta me marrë kredi, por nuk m’i lëshuan! Si mund e si keni mundësi m’i huanzon këtë shumë të hollave! Pasha besën jam shumë ngusht e po më nevojiten!”

Meqë shuma e të hollave që kërkoi ishte e lartë dhe e papërballueshme për xhepin tim, u detyrova t’i kthejë përgjigjen e padëshiruar.

Mirëpo, çfarë ndodhi nga ai moment, miku dhe adhuruesi im i deridjeshëm virtual filloj të largohet dalëngadalë nga unë, duke mos më ndjekur më në shkrime si më parë (asnjë pëlqim dhe asnjë koment i tij mbi shkrimet e mia)!

E kuptova hidhërimin e tij, mirëpo shpresoja, se me kalimin e kohës një ditë do t’i kalojë hidhërimi i pa arsyeshëm ndaj meje, për të vazhduar miqësinë aty ku na mbeti, por ai iku nga unë pa u përshëndetur, me largim dhe bllokim nga shoqëria virtuale (Facebooku)!

Përmes rrëfimit të mësipërm autentik, dëshirojë të përcjellë mesazhin tek të gjithë mërgimtarët në prag të pushimeve verore, që të jenë të kujdesshëm nga shoqëria virtuale në vendlindje, se jo të gjithë miqtë virtual janë engjëj ashtu siç paraqiten në rrjetet sociale!

P.S. Më vonë, përmes disa miqve e mësova se gjendja ekonomike e mikut virtual, jo që nuk ishte e keqe, ishte më e mirë sesa e imja!

Lajmet Sfidat e miqësisë virtuale! >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Mentor Barani

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!