Kurti e quan diletantizëm nismën e PDK-së për Trustin, thotë se po i ndihmon Lista Serbe

Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar opozitën se po manipulon me nismën për lejimin e tërheqjes së 30 përqindshit nga Trusti Pensional.

“Janë këta që kanë sjellë këtë propozim në kuvend dhe janë këta që po keqpërdorin edhe rrjetin medial për të manipuluar opinionin si për përmasat e krizës, ashtu edhe për domosdoshmërinë e tërheqjes së Trust-it si zgjidhje”.

Madje, ai në mbledhjen e qeverisë tha se nismëtari i kësaj nisme të cilin s’e përmendi me emër, por që është Bekim Haxhiu i PDK-së, nivelin e argumentimit për të lejuar mundësinë që të tërhiqen 30% nga Trusti e ka të tillë që fondet janë për t’u zbrazur.

“Nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të Trustit nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës i cili në një prononcim të tij medial duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka thënë përafërsisht se po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e fondit, ka mjete aq të mjaftueshme Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ja pra se kush po merret me financa dhe makroekonomi te ne. Është diletantizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat e të cilit nuk kemi pse t’i bartim ne të tjerët veçse vetë ai person. Sipas tij, fakti që një fond ekziston shërben si argument i mjaftueshëm dhe ftesë e hapur për ta zbrazur atë fond. Ka një arsye pse ekziston fondi – nuk ekziston për ta zbrazur, sepse është mbledhur për të mos u zbrazur. Duhet t’i ndihmojë të gjithëve dhe ekonomisë, dhe jo të fusim xhepin në moshën tonë të shtyer në mënyrë që ta humbim pleqërinë dhe të mos rregullojmë asgjë, ama bash asgjë, në të tashmen”.

“Nga deputeti i opozitës është niveli i profesionalizmit të kësaj kërkese, ky është niveli i argumentimit, seriozitetit dhe përgjegjësisë që e gjeni te sponsorizuesit e kësaj iniciative. Janë të njëjtit që na kanë sjellë në këtë gjendje dhe të cilët tash po dëshirojnë që edhe ato pak të mira që ekzistojnë t’i rrënojnë”.

Kurti tha se LDK-ja dhe AAK-ja po e përkrahin nismën që do të lejonte qytetarët të tërheqin 30% të kursimeve të tyre pensionale edhe pse e dinë se është e rrezikshme.

Ai përmendi edhe mbështetjen e Listës Serbe duke thënë se PDK-ja s’mund ta bindë se kjo parti këtë po e bën për të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Kjo nismë fatkeqësisht ka bërë që edhe deputetë nga LDK-ja dhe AAK-ja të rreshtohen prapa nismëtarit, mbase edhe prej premisave të ndryshme dhe arsyeve të llojllojshme, por me shpresa të njëjta. Objektivi është i njëjtë. Të gjitha këto subjekte e dinë se sa shumë e rrezikshme është për ardhmërinë e vendit lejimi i tërheqjeve të tilla, duan që ky propozim të mos kalojë, por shpresojnë që pas manipulimit të parë, ku besojnë se janë pozicionuar si mbrojtës të interesave të qytetarëve, do të kenë sukses edhe në manipulimin e dytë. Pritet t’u dalë në ndihmë edhe Lista Serbe. Nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë mbështetjen edhe të Listës Serbe për propozimin e tyre dhe besoj që nuk duan të na bindin që kjo ndodh qoftë për shkak të brengës së madhe të Listës Serbe për koston e jetësës së qytetarëve të vendit apo se kjo masë do t’i ndihmonte mbirproporcionalisht qytetarëve të komunitetit serb”.

Shefi i qeverisë ripërsëriti disa herë se Qeveria e Kosovës është kundër kësaj nisme duke thënë se nuk fiton askush nga kjo.

“Ne nuk kemi se si e mbështesim një nismë të tillë dhe kur e kemi kundërshtuar herën e parë tërheqjen prej 10% të Trusti  i Kursimeve Pensionale e kemi thënë shumë qartë se jemi kundër se e dimë që çelet dera për më shumë. Ja ku jemi sot. Janë tërhequr 10 % që të tërhiqen 30 %, duan që t’i tërheqin 30 % që t’i tërheqin 50% dhe pastaj të ngelemi me asgjë. Shumica kanë pak, përfitojnë aspak, ndërkaq ajo pakicë që ka shumë edhe ajo siç ka shumë përfiton pak, për të mos thënë aspak. Nuk ka fitues nga kjo mënyrë, veçse dëmtime për të gjithë”.

 

 

Lajmet Kurti e quan diletantizëm nismën e PDK-së për Trustin, thotë se po i ndihmon Lista Serbe >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!