REAGIM NGA EC MA NDRYSHE: Takimet e Ekzekutivit të Prizrenit mbeten të mbyllura për shoqërinë civiledhe gazetarët  

REAGIM NGA EC MA NDRYSHE: Takimet e Ekzekutivit të Prizrenit mbeten të mbyllura për shoqërinë civiledhe gazetarët  
Rahoveci INFO – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Takimet e qeverisë komunale të Prizrenit deri më tani mbeten të mbyllura për shoqërinë civile dhe gazetarët, përkundër zotimeve publike të lidershipit lokal se ato do të jenë të hapura për OJQ-të dhe mediat.

Nga data 11 janar 2022, kur edhe është bërë emërimi i shumicës së drejtorëve, në adresën elektronike të EC Ma Ndryshe janë dërguar vetëm dy ftesa për mbledhjet e qeverisë komunale, të cilat megjithatë janë zhvilluar prapa dyerve të mbyllura. Edhe në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit janë publikuar njoftimet për dy takimet e Ekzekutivit komunal, ai i datës 12 janar (https://kk.rks-gov.net/prizren/news/kryetari-z-shaqir-totaj-mbane-mbledhjen-e-pare-me-drejtoret-e-drejtorive-komu ) dhe i datës 25 janar (https://kk.rks-gov.net/prizren/news/kryetari-z-shaqir-totaj-mbane-mbledhje-me-drejtoret-komunal/l ), në të cilat është potencuar se kanë pasur karakter njoftues lidhur me punët, sfidat si dhe analizat e brendshme që drejtorët komunalë i kanë bërë pas marrjes së detyrës. EC-i ka kërkuar informata nga Komuna lidhur me numrin e mbledhjeve që kryetari ka mbajtur me drejtorët brenda periudhës kohore janar – prill 2022, por nuk ka marrë përgjigje.

Duhet cekur se në fushatën e fundit parazgjedhore dy nga premtimet më të theksuara të kryetarit aktual kanë qenë transparenca radikale dhe llogaridhënia para qytetarëve.

Ndërkaq praktika e mbylljes së mbledhjeve të Ekzekutivit bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente dhe po ashtu nuk përputhet me përpjekjet për promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë, pasi në takimet e kryetarit e drejtorët komunalë, merren vendime të ndjeshme rreth menaxhimit të buxhetit komunal, që sigurohet nga taksapaguesit. Për më shumë, në mandatin e kaluar, vet kryetari aktual i komunës, z.Shaqir Totaj ka kritikuar ish-qeverisjen lokale për mbylljen e mbledhjeve të Ekzekutivit komunal për shoqërinë civile dhe gazetarët. 

Për këtë arsye, EC Ma Ndryshe shpreh pakënaqësinë lidhur me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të marrë pjesë në takimet e kryetarit të komunës me drejtorët komunalë. Kjo mbyllje e vendimmarrjes komunale është pengesë direkte ndaj punës së këtyre akterëve, sidomos mediave, të cilët kanë për qëllim rritjen e informimit publik.

EC Ma Ndryshe i bën thirrje kryetarit të komunës së Prizrenit që sa më parë t’i hapë ato duke mundësuar pjesëmarrjen gazetarëve, monitoruesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve. Çdo vonesë për realizimin e kësaj kërkese është dështim për të promovuar një standard elementar të qeverisjes transparente dhe cenim i së drejtës së qytetarëve për informim.

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e agjencisë së lajmeve Rahoveci INFO.

Lajmet REAGIM NGA EC MA NDRYSHE: Takimet e Ekzekutivit të Prizrenit mbeten të mbyllura për shoqërinë civiledhe gazetarët   >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Redakcija B/H/S

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!