Regjisorja Blerta Basholli nderohet me Çmimin vjetor për Kinematografi

Mbrëmjen e sotme me organizim të Ministrisë së Kulturës e me prezencën e përfaqësuesve më të lartë institucionalë dhe të artit u ndanë dy çmimet vjetore në kinematografi për vitin 2021.

Çmimi vjetor për Kinematografi i takoi regjisores Blerta Basholli. Ky çmim që u jepet krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë për vitin 2021, regjisorja Basholli e pranoi nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”, iu nda post-mortem aktorit, producentit dhe skenarist të gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare, Abdurrahman Shala. Këtë çmim që u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë, në emër të familjes e pranoi Genc Shala, nga ministri Hajrulla Çeku.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kinematografia kosovare arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë. Sipas tij, përfaqësimi ndërkombëtar gjithandej planetit, çmimet e jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara, na rikujtuan edhe një herë që talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të.

Duke përmendur dy marrëveshjet e rëndësishme të bashkëprodhimit kinematografik, atë me shtetin e Izraelit dhe me Francën, kryeministri tha se këto marrëveshje hapin rrugën dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, më shumë shkëmbim të përvojave, stileve e teknikave të filmbërjes.

“Ministria jonë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit aktualisht po punon edhe në Ligjin për Kinematografi, i cili do të përcillet për diskutim në Kuvendin e Kosovës. Pra, do të ketë incentiva dhe lehtësime të tjera e të shumta për fushën e filmit. Me shpalljen e filmit si Interes i Veçantë Shtetëror i yni, do t’i jepet vëmendje dhe rëndësi procesit të bërjes së filmit në vend”, tha Kurti.

Lajmet Regjisorja Blerta Basholli nderohet me Çmimin vjetor për Kinematografi >> Rahoveci.info.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!