Kthimi kah mërgata, dashuri e interesit e partive politike!

Kthimi kah mërgata, dashuri e interesit e partive politike!
Rahoveci INFO – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Shkruan: Florim ZEQA 

Zbrazja enorme e vendit nga popullata shqiptare ka ndikuar në zvogëlimin e elektoratit të partive politike. Duke e vërejtur këtë dukuri të shkaktuar nga vet ata (politikanët), të gjitha partitë politike ju kanë kthyer mërgatës për të përfituar sa më shumë elektorat në Diasporë.

Kthimi i partive politike kah mërgata, sinjal se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme

Ditëve dhe javëve të fundit, të gjitha partitë politike në pushtet dhe opozitë kanë pasur takime të ngjeshura me bashkatdhetarët në diasporë, duke e shprehur “respektin dhe dashurinë” e pafundme për mërgatën tonë.

Vërtetë do të ishte sinjal i mirë sikur këto vizita të eskortave partiake në mërgatë, burimin ta kishin tek dashuria e sinqertë dhe respekti për bashkatdhetarët!

Mirëpo, këtu nuk bëhet fjalë për dashuri dhe respekt ndaj bashkatdhetarëve në diasporë, por ky është sinjal se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Shtrohet pyetja, pse ju kanë kthyer të gjitha partitë politike mërgatës, të cilën e kishin harruar prej vitesh?!

Arsyeja është e thjeshtë.

Meqenëse, Kosova është zbrazur dhe po vazhdon të zbrazet në vijimësi, të gjitha partitë janë varfëruar me elektorat. Arsye shtesë është fakti tjetër, se LVV-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare arriti t’i marrë afër 45 mijë vota nga mërgata, kurse partitë tjera 10 përqindëshin e tyre apo edhe më pak.

Për këtë arsye, partitë politike në përgjithësi, e në veçanti ato opozitare janë mobilizuar si asnjë herë më parë në konsolidimin e degëve të tyre në Diasporë dhe hapjen degëve të reja me qëllim të përfitimit sa më të madh të votës së mërgimtarëve.

Çfarë po bëjnë partitë politike për mërgatën

Partitë opozitare, por edhe partia në pushtet po lobojnë që të mbledhin sa më shumë vota dhe simpatizantë në diasporë. Ky është një tregues i mjaftueshëm se partitë politike po përgatiten për zgjedhje, prandaj janë kthyer kah “hambari” i madh për fuqizimin dhe rritjen e anëtarësisë.

E gjithë kjo nuk shkon në të mirën e mërgimtarëve dhe as të qytetarëve të Kosovës, por vetëm në dobi të partive politike dhe grupeve të interesit brenda tyre.

Sikur të ishin parti të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe të respektueshme ndaj mërgimtarëve, paraprakisht do të merreshin me rregullimin e mirëqenies së qytetarëve dhe trajtimin dinjitoz të mërgimtarëve, me përfshirjen e tyre në vendimmarrje, përkatësisht me sigurimin e vendeve të rezervuara në Parlament, për faktin se të hyrat e mërgimtarëve në Kosovë janë më të mëdha sesa buxheti i shtetit të Kosovës.

Mërgimtarët vetëm shfrytëzohen nga të gjitha pushtetet. Deri më sot asnjë subjekti politik nuk i ra ndërmend që t’i lirojë mërgimtarët nga tatimi mbi pronë për shtëpitë  e pabanuara, të cilave u hapen dyert një apo dy herë në vit dhe atë në kohëzgjatje jo më shumë se një muaj.

Madje për këtë çështje u kam shkruar letër publike në vijimësi dy ministrave të Jashtëm dhe Diasporës, por mbeta pa përgjigje dhe pa asnjë lëvizje sa i përket kësaj kërkesë njerëzore!

Jam i bindur se këto letra publike i kanë lexuar shumica e deputetëve, por asnjëri prej tyre nuk e ngriti këtë çështje në Parlament!

Por, po shihet qartë se këto parti politike dhe politikanët në përgjithësi nuk e kanë në planë të parë përfshirjen e diasporës në vendimmarrje, as shpërblimin simbolik për kontributin madhor te saj, por “thithjen’ e votave dhe zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve deri në centin e fundit në vendlindje.

Ndryshe, me këtë po vërtetohet se më 14 shkurt 2021 nuk ka ndodhur ndryshimi i pritur real, por vetëm imagjinar, i kamufluar dhe pa asnjë rezultat sa i përket zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve.

Kjo po vërtetohet me angazhimin e shtuar të partive politike në diasporë, ndërkohë që mirëqenia e qytetarëve dita-ditës po përkeqësohet dhe rëndohet skajshmërisht.

Jo votën, por ndëshkimin për kusarët politik

Një klasë politike që nuk i dëgjon dhe as nuk i respekton kërkesat e qytetarëve (mërgimtarëve), ajo nuk i duhet popullit të Kosovës dhe as mërgimtarëve.

Të gjitha partitë politike pa dallim, pozitë dhe opozitë janë kthyer kah mërgata, jo nga respekti, por të prirë nga interesi elektoral dhe ai material.

Rënia e fuqisë elektorale në Kosovë, i ka detyruar partitë politike të kthehen kah mërgata, kah pjesa më vitale e ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Në këtë situatë, mërgimtarët duhet të meditojnë dhe reflektojnë thellë me mendjet e tyre!

Për arsye se, shkaktare kryesore për rritjen e numrit të mërgimtarëve në shtetet evro-perëndimore përgjatë muajve dhe viteve të fundit është pikërisht kjo klasë politike, e cila ua fiku të gjitha dritat e shpresës për jetë të dinjitetshme në vendlindje, dhe tani pa fije turpi vrapojnë pas votës së tyre në diasporë!

Andaj, të dashur bashkatdhetar, vëllezër dhe motra mërgimtare JO suportit me votë të kësaj klase politike që JU detyroj ta braktisni vendlindjen dhe të treteni në dhe të huaj.

Bashkohuni në alternativen e re politike, e cila do të jetë shpirti dhe shpresa, do të jetë ADN-ja e ndryshimit real dhe substancial në Kosovë, e cila do të jetë e bazuar në tradita dhe vlera të pastra kombëtare, me njerëz të rinj, jo nga mosha, por nga angazhimi politik (të pa përfshirë në partitë aktuale politike).

Lajmet Kthimi kah mërgata, dashuri e interesit e partive politike! >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Mentor Barani

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!