BE-ja e fajëson Rusinë për krizën globale të ushqimit, ambasadori rus largohet nga mbledhja e OKB-së

Ambasadori i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është larguar nga një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së pasi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka fajësuar Moskën për shkaktimin e një krize globale ushqimore.

Michel ka thënë se Rusia po i përdor furnizimet ushqimore si “raketë vjedhje” kundër zhvillimit të botës, duke i detyruar njerëzit drejt varfërisë.

I dërguari rus Vassily Nebenzia akuzoi Michelin për përhapjen e gënjeshtrave.

Lufta ka shkaktuar ngecjen e shumë ushqimeve në portet e Ukrainës. Ukraina është një eksportues i madh i vajit për gatim, si dhe të drithërave si misri dhe gruri. Rusia gjithashtu eksporton sasi të mëdha drithërash, si dhe plehra. Mungesa e këtyre eksporteve ka bërë që çmimet të rriten.

“Zotri ambasador i Federatës Ruse, le të jemi të sinqertë, Kremlini po përdor furnizimet ushqimore si një raketë kundër vendeve në zhvillim”, tha Michel gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit në New York.

“Pasojat dramatike të luftës së Rusisë po përhapen në të gjithë globin dhe kjo po rrit çmimet e ushqimeve, duke i shtyrë njerëzit në varfëri dhe duke destabilizuar rajone të tëra. Rusia është e vetmja përgjegjëse për këtë krizë ushqimore”.

Ai shtoi se kishte parë vetë miliona tonë drithë të ngecur në portin ukrainas të Odesa-s për shkak të një bllokade detare të imponuar nga Rusia.

Michel akuzoi gjithashtu Rusinë për vjedhjen e grurit dhe parandalimin e mbjelljes dhe korrjes së të korrave në Ukrainë për shkak të aktiviteteve të saj ushtarake atje.

Komentet e tij bënë që Nebenzia të dilte jashtë. Derisa ai largohej, Michel iu drejtua drejtpërdrejt duke i thënë: “Mund të largohesh nga dhoma, ndoshta është më e lehtë të mos dëgjosh të vërtetën”, shkruan BBC, transmeton KlanKosova.tv.

Lajmet BE-ja e fajëson Rusinë për krizën globale të ushqimit, ambasadori rus largohet nga mbledhja e OKB-së >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!