Shefja në OKB akuzohet për injorim të abuzimeve të myslimanëve ujgurë në Kinë

Dhjetëra studiues kanë akuzuar shefen e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, se ka injoruar ose kundërshtuar gjetjet akademike mbi abuzimet në Xinjiang me deklaratat e saj për rajonin.

Në një letër të hapur të botuar këtë javë, 39 akademikë nga e gjithë Evropa, ShBA dhe Australia, i kërkuan Bachelet të publikonte një raport të shumëpritur të OKB-së mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Kinë.

Letra, e publikuar në internet, përfshinte disa akademikë me të cilët Bachelet ishte konsultuar para vizitës së saj në Xinjiang. Nënshkruesit e letrës shprehën mirënjohje për vizitën, por thanë se ishin thellësisht të shqetësuar nga deklarata e saj zyrtare, e dhënë në një konferencë shtypi në Guangzhou, në fund të turneut të saj gjashtë-ditor.

Ata thanë se deklarata e saj “injoroi dhe madje kundërshtoi gjetjet akademike që dhanë kolegët tanë, përfshirë dy nënshkruesit e kësaj letre”.

Në fund të vizitës së saj, Bachelet tha se ajo i kishte kërkuar qeverisë kineze të rishikonte politikat e saj kundër terrorizmit në Xinjiang dhe bëri thirrje për informacion në lidhje me ujgurët e zhdukur.

Ajo u kritikua shpejt nga disa grupe të të drejtave për dhënien e pak detajeve ose dënimin e Kinës, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Letra e akademikëve është ndër kritikat në rritje ndaj Bachelet për mosngritjen e zërit kundër abuzimeve kineze pas vizitës së saj, si dhe për dështimin e vazhdueshëm për të publikuar raportin e OKB-së, i cili besohet të ketë përfunduar në fund të vitit 2021.

230 organizata për të drejtat e njeriut e akuzuan Bachelet se kishte “zbardhur” mizoritë e qeverisë kineze për të drejtat e njeriut, dhe se kishte legjitimuar përpjekjen e Pekinit për të mbuluar krimet, duke përdorur kornizën e rreme të qeverisë kineze për “kundër-terrorizmin”.

Ata dënuan gjithashtu faktin se ajo i ishte referuar vazhdimisht kampeve të paraburgimit në Xinjiang me termin e preferuar të qeverisë kineze: “qendra të arsimit dhe trajnimit profesional”.

Xinjiang është vendi i një abuzimi prej vitesh nga autoritetet kineze ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane, me politika gjithëpërfshirëse të vijës së ashpër të shtypjes fetare, kulturore, gjuhësore dhe fizike.

Rreth një milion njerëz janë burgosur në një rrjet të gjerë kampesh ndalimi dhe riedukimi, të cilat Pekini i quan “qendra të arsimit dhe trajnimit profesional”.

Rrjedhjet e dokumenteve kanë zbuluar se shumë të tjerë janë arrestuar ose burgosur për krime të supozuara, duke përfshirë studimin e shkrimeve të shenjta, rritjen e mjekrës ose udhëtimin jashtë shtetit, dhe se autoritetet kanë urdhëruar rojet që të qëllojnë për të vrarë, këdo që tenton të ikë nga kampet.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe disa qeveri e kanë etiketuar këtë fushatë një gjenocid ose krim kundër njerëzimit. Pekini mohon të gjitha akuzat për keqtrajtim dhe thotë se politikat janë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar.

Lajmet Shefja në OKB akuzohet për injorim të abuzimeve të myslimanëve ujgurë në Kinë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!