Ministrin e kap “zorra qorre”, operohet e trajtohet “profesionalisht” (VIDEO)

Dhimbjet e sollën në orët e vona të së enjtes ministrin e shëndetësisë Rifat Latifi e në Klinikën Emergjente.
Pas ekzaminimeve të këtushme, ministri Latifi u pranua në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, ku dhe u operua nga zorra qorre.
Pos ekipit kujdestar të përbërë nga kirurgët Lulzim Salihu, Valon Zejnullahu dhe Driton Komoni, televizioni merr vesh se Latifi e ka thirrur kirurgu Enver Fekaj nga shtëpia për ta kryer këtë intervenim kirurgjik.
Njëherësh Fekaj është edhe kandidat në konkursin për drejtor të kësaj Klinike.
Ky i fundit e ka konfirmuar për televizionin se e ka kryer operacionin e Latifit.
Pas intervenimit ministri për trajtim të mëtejmë u dërgua në Klinikën e Anestezionit me Mjekim Intensiv, i cili u vendos në një dhomë me një pacientë -fëmijë.
E, këtë rekomandim që Latifi të hospitalizohet në këtë klinikë dhe jo në atë të Kirurgjisë e mori anesteziologia Shpresa Hasimja në koordinim me shefin e KAM-it, Shaqir Uka dhe me operatorin Enver Fekaj.
Anesteziologia Hasimja tha për KlanKosovën se marrjen e këtij vendimi e kanë parë të arsyeshme, ngase kanë qenë orët e vona kur është kryer intervenimi dhe se nuk ka dhomë të zgjimit në Kirurgji, derisa thekson se ministri nuk ka kërkuar asnjë privilegj dhe i ka përfillur të gjitha procedurat me korrektësinë më të madhe.
Lajmet Ministrin e kap “zorra qorre”, operohet e trajtohet “profesionalisht” (VIDEO) >> Rahoveci.info.