Edhe një skandal i Qeverisë Kurti 2 – mbi 300 mijë euro për organizatën ku janë të përfshirë motra e dhëndrri i zv.ministres

Kryeministri Kurti u bë sensacion në fillimin e këtij viti, kur e pamë teksa shijonte teleferikun në bukuritë e Brezovicës. Në karrigen e teleferikut, ishte një prej bashkëpunëtoreve të tij të afërta, Daulina Osmani, që mban postin e zëvendësministres në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kurti po merrte pjesë në përfundimin e një projekti të Ministrisë së Kulturës. Ky projekt sportiv me destinacion Brezovicën, i kishte kushtuar Ministrisë 335 mijë euro. Këto 335 mijë euro i ishin dhënë Organizatës Joqeveritare, Federatës së Sportit Shkollor. Kjo e fundit, e shpall fituese të tenderit kompaninë ‘Omnisport’ – ku në mesin e pronarëve, është edhe Alban Xhambazi, burri i motrës së zëvendësministres Daulina Osmani.

Në sezonën e dimrit, kur populli po paguante faturat e shtrenjta të rrymës, në fund-vitin e 2021-ës dhe fillimin e këtij viti, Ministria e Kulturës kishte inicuar një program të quajtur ‘Drejt Malit’.

Pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në ditën e fundit të programit tre javorë, ishte bërë lajm sensacional, shkaku që Kurti provoi teleferikun në Brezovicë, me zëvendësministren e Kulturës, Daulina Osmani, që njëherit njihet si një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit.

Sipas projektit, 400 nxënës (shih memorandumin) të shkollave fillore, duhej të ishin pjesëmarrës në këtë program.

(Njoftimi i zëvendësministres Daulina Osmani për ngjarjen në Facebook)

Një shprushje në organizimin e kësaj ngjarje dhe me dokumentin që ka arritur t’i sigurojë Periskopi, vërehet ashiqare lidhja familjare e zonjës Daulina Osmani – zëvendësministre, me kompaninë që ka fituar ‘të drejtën’ për ta bërë programin të realizueshëm.

Kështu, sipas dokumenteveMinistria e Kulturës me dy Ministri të tjera (atë të Arsimit dhe atë të Shëndetësisë) kishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës për një projekt që do të kushtonte hiç më pak se 335,000 euro.

Dokumenti i plotë i memorandumit të bashkëpunimit –

Qëllimi i programit – thënë më së shkurti – ishte dërgimi i disa nxënësve (në grupe dhe numër të caktuar) në Brezovicë për skijim, rekreacion, sport a quajeni si të doni.

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës kontrakton OmniSport ku punon motra e zëvendësministres Osmani, me pronar burrin e vet

Kur puna e memorandumit të bashkëpunimit 335 mijë euro, veç kryhet me nënshkrimet e ministrave Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci dhe Rifat Latifi si dhe kryetarit Federatës, që shihet e regjistruar si OJQ, kjo e fundit, ashtu sië merr përsipër në bazë të memorandumit, hap tender për ta gjetur kompaninë që duhej ta implementonte programin, rrjedhimisht – pajisjeve, skive, dhe gjësendeve tjera logjistike.

(Thirrja për tender)

(Federata figuron e regjistruar si OJQ) 

Mbi 80 mijë euro për kompaninë ku punon motra e zëvendësministres dhe ku ka pronësi burri i saj

Kur Federata merr projektin (paratë) nga Ministria, kompania që fiton tenderin, ‘qëllon’ të jetë një kompani e njohur si ‘OmniSport’. Në mesin e pesë pronarëve të Omnisportit, është edhe Alban Xhambazi, burri i motrës së zëvendësministres Daulina Osmani, pra, burri i Mimoza Osmanit.

(Dokumenti publik: ARBK) 

Prej kësaj kompanie na thanë se tenderi që e kanë fituar, ishte mbi 80 mijë euro. Megjithëse nuk është ndonjë periudhë e largët kohore, na thanë se ‘ka qenë 80 e diçka mijë euro”. Këtë “diçka” ne – për momentin – nuk e dimë sa ka qenë.

Se kjo kompani është kontraktuar nga Federata, na e konfirmuan vetë prej aty për Periskopin.

Ne e pyetëm Agron Dubovcin, njeriun përgjegjës për ta kontaktuar në Federatë, se kush e ka fituar këtë tender dhe na tregoi se ishte ‘Omnisport’.

“Tenderin e ka fituar kompania e quajtur Omnisport, sipas kriterve të përcaktuara”, ka thënë Agron Dubovci

Këtë e konfirmuan edhe Omnisporti.

Në telefonatën tonë për t’i verifikuar të dhënat e dokumentuara dhe burimet tona rreth temës, zonja Mimoza Osmani, motra e zëvendësministres, menaxhere në Omnisport, na tha:

“Sa më kujtohet ka qenë ofertë për skija, që është kërku prej Federates. Kemi ofru skija’, tha zonja Osmani.

Në Federatën e Sportit Shkollor, nuk iu kujtohet shuma e parave që kanë dhënë për tender. As Omnisportit, bash saktë nuk i kujtohet.

“Shifra e saktë e tenderit nuk po më kujtohet”, ka thënë Agron Dubovci i Federatës.

Edhe Bujar Turjaka, një prej pronarëve të Omnisportit, s’po e mban mend shumën, nuk i kujtohet saktë.

“Nëse nuk gaboj se nuk e di saktë, diku 80 mijë ka qenë, vetëm skitë i kemi pasë na, veç skitë i kemi pajisë, kemi konkuru faktikisht me një Komision që e ka pasë Federata, edhe kanë qenë tri oferta që i kemi japë edhe kanë qenë të përcaktumë për ofertën tonë të Omnisportit. Diku orientimisht 82-3 mijë, po nuk është 180 as nuk është 20 po është 80 e diçka mijë euro”, ka thënë Turjaka.

Kontradiktat:

Nga bisedat tonë për verifikimin e të dhënave që kishim, zyrtari i Federatës, na ka thënë se ‘kompania fituese e tenderit është marrë me të gjithë organizimin”. Nga Omnisport, na thanë se ata kanë qenë përgjegjës ‘vetëm për sigurimin e skive për projektin që janë kontraktuar.’

Sipas projektit, 400 nxënës (shih memorandumin) të shkollave fillore, do të ishin pjesëmarrës në këtë program. Federata, kishte ofertuar për shërbim të pajisjeve të skijimit, për 126 personave, ndërkaq në një dokument tjetër që e posedon Periskopi, për shërbimin e akomodimit, Federata përfshin 600 nxënës.

Po i marrim si të mirëqena të dyja deklaratat (Federates dhe Omnisportit). Pyetja që mbetet është, se kah shkuan edhe 255 mijë euro të tjera? Sipas gjithë dokumenteve që publikuam këtu, nga memorandumi mes Ministrisë e Federatës si dhe publikimet e kësaj të fundit për tender, e kuptueshme se projekti kërkonte detyra si: akomodim të nxënëve pjesëmarrës, trajnerëve, instruktorëve etj. Por, çka ndodhi tutje me këtë projekt, që Ministrisë, rrjedhimisht shtetit, i kushtoi 335 mijë euro?/Periskopi.

 

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!