FETË NË GJEOPOLITIKË (Pjesa e tretë)

FETË NË GJEOPOLITIKË (Pjesa e tretë)
Rahoveci INFO – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Shkruan: Agim KRASNIQI

Pjesa e tretë

Shqiptarët deri tani e kanë konsideruar fenë si një çështje që ka të bëjë me jetën private të individit, dhe si një rit që praktikohet brenda mureve të xhamisë, të  kishës, të teqesë ose në ndonjë objekti tjetër fetar dhe nuk e kanë konsideruar fenë si pjesë e pandashme të jetës politike të shoqërisë dhe të influencës së saj në qeverisje dhe  në bërjen e politikës së shtetit.

Millan Shufflay, njohësi më i mirë i historisë mesjetare të Shqipërisë, shkruan se: Lufta ideologjike mijëvjeçare midis Romës dhe Bizantit, nuk mori kurrë trajta të vrazhda në tokën shqiptare. Sepse, ndërgjegjja etnike tepër e thellë e vendasve,  i ka peshuar më tepër se ndjenja fetare dhe se egoizmi i prijësve të tyre, nuk lejoi kurrë që zelli fetar, qoftë edhe sikur të ekzistonte, të ngritje në shkallë të fanatizmit, të cilit gjatë mesjetës tek shqiptarët mezi i gjendet gjurma” (Shufflay, 2012). Ndërlidhur me këtë, thirrja e poetit Pashko Vasa një shekull më parë i cili thotë, “çoniu, o shqiptar prej gjumit qoniu, të gjithë si vëllezën në një besë shtrëngoniu, mos shikoni kisha e xhamia, fe e Shqyptarit asht Shqyptaria…. priftnit e hoxhët ju kanë hutue, për me ju damun me ju vorfnue! (Jacques, 1995)”    ishte një përmbushje patriotike me qëllim të nxitjes së antipatisë popullore kundër të gjitha feve në Shqipëri. 

Ndërsa shkrimtari Ismail Kadare vlerëson harmoninë fetare që ka zgjatur me shekuj dhe gjenden te vetë kushtet e rrugëtimit historik të shqiptarëve dhe te fakti që në Shqipëri të tre besimet janë të lidhura me kombin dhe ekzistencën e tij. Sipas zotit Kadare themeli i themeleve është se besimet kryesore janë barazisht të rëndësishme dhe barazisht të ligjshme: Ky drejtpeshim mes besimeve, nuk është një dëshirë e marrë për realitet, s’është retorikë poetike, as psikozë pajtuese e tillë që kërkon drejtpeshimin dhe harmoninë atje ku ato nuk ekzistojnë. Ky drejtpeshim dhe ky legjitimitet janë një realitet,  janë një thelb (Kadare, 2010) .

Sa i përket identitetit fetar, shoqëria kosovare mbetet kryesisht laike në qëndrimet dhe sjelljet e saj. Megjithatë, modelet e radikalizmit fetar të nxitura nga jashtë po ndikojnë gjithnjë e më shumë në shoqërinë kosovare. Respektimi i një interpretimi më fundamental të kodit islam po rritet, megjithatë, aktualisht këta individë që e miratojnë këtë mënyrë jetese mbeten të paktë kundrejt popullsisë së Kosovës. Ka shqetësime për rritjen e xhamive konservatore të financuara dhe të mbështetura nga aktorë të jashtëm që kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre në Kosovë. Nga ana tjetër, historikisht feja nuk e ka përcaktuar se çfarë do të thoshte të ishe shqiptar, pasi që praktikat kanë treguar se ishte gjuha që shërbeu si faktori i vetëm më i rëndësishëm që i bashkon shqiptarët, dhe në historinë moderne shkollat luajtën një rol të madh në identitetin shqiptar. Sidoqoftë, ka një perceptim që në Kosovë feja po shfrytëzohet dhe manipulohet për qëllime politike, gjeostrategjike dhe gjeopolitike, në mbarë spektrin.

Me dilemën mbi rolin e fesë në jetën publike dhe politike janë përballur e përballen shumë shtete dhe shoqëri.  Ndonëse kushtetuta e Republikës së Kosovës, është e qartë mbi ndarjen e shtetit nga feja, pasi ato luajnë role të ndryshme në jetën e njeriut dhe të shtetit. Prandaj, shqiptarët sot nuk guxojnë të bien pre e influencave të huaja që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, por të jenë besnikë të traditës dhe kulturës kombëtare, përfshirë edhe harmoninë fetare. Kjo është në interesin kombëtar dhe  ky shqetësim duhet të jetë në ndërgjegjen e çdo shqiptari, por duhet të jetë sidomos e ngulur në ndërgjegjen e çdo udhëheqësi fetarë dhe politik që feja të mos përdoret për qëllime përçarjesh dhe konfliktesh vëllazërore duke e dëmtuar etnin shqiptare.  Ndikimet e jashtme po ndikojnë  mbi diferencimin etnik të shqiptarëve. Në përgjithësi, koncepti “ndikim” përkufizohet si aftësia e një pjese për të ndikuar në një pjesë tjetër dhe për ta lënë të nënshtrohet për të bërë atë që kërkohet.

Demokracia po rrëshqet në të ashtuquajturin Ballkani Perëndimor, si pasojë e regjimeve kryesisht autoritare, ku institucionet më shumë janë formale demokratike dhe shihen gjerësisht si mjetet kryesore për të fituar pushtetin. Por ato nuk janë demokratike sepse fusha e lojës është shumë e anuar në favor të ndikimeve të huaja ( në këtë rast që po flasim, Ruse dhe Turke). Sa po duket, idetë fetare do ta pushtojnë sistemin politiko-social të komuniteteve dhe shteteve anembanë globit, në veçanti regjimet autoritare. Kjo është një nga pyetjet më të vështira me të cilat do përballemi në shekullin 21, në teorinë politike dhe shtetet ekzistuese demokratike. Rrjedhimisht, kompleksi kulturore i shoqërive dhe politika ndërkombëtare janë ndikuar për shkak të zmadhimit të hendekut që ekzistonte mes tyre, versionin e shenjtës dhe laikes (Perry, 1997). Se idetë laike ashtu edhe ato fetare kanë të mirat dhe të këqijat në jetën reale të popujve dhe shteteve, qoftë brenda apo jashtë vendit. Aktorët fetarë  luajnë në akordin e ideve dhe doktrinës fetare si një fuqi dhe i marrin këto idetë si një ombrellë për orientim në përputhje me rrethanat për të arritur interesat e tyre. Këtu përfshihen aktorët ndërkombëtarë dhe rajonalë, për shembull, Rusia, Turqia ashtu edhe Arabia Saudite, pretendojnë se politikat e tyre të jashtme duhet të udhëhiqen nga perceptimi fetar. Me liberalizimin politik të shoqërive ballkanike dhe hapjen e tyre ndaj botës, pati një humbje të monopolit të institucioneve fetare mbi praktikimin e Islamit dhe rrjedhimisht pluralizimin e brendshëm të tij. Tani ka shumë mënyra të ndryshme për të qenë mysliman në Ballkan. Ky është transformimi i madh i Islamit ballkanik në tridhjetë vitet e fundit. Dhe në kuadrin e këtij pluralizimi është e pashmangshme që të shfaqen rryma ekstremiste, të cilat nuk kanë ekzistuar më parë në islamin ballkanik.

Në nivelin praktik, Turqia dhe Rusia konvergojnë duke luajtur rolin e mbrojtësve të jashtëm të komuniteteve ortodokse dhe islame, ilustron fakti se, atje ku Rusia dhe Turqia janë anëtarë të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) që mbikëqyr Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në emër të OKB-së, e kanë pozicionuar veten si avokate e Republika Srpska, entiteti me shumicë serbe brenda Bosnjës, ndërsa Ankaraja pretendon rolin e një vëllai të madh për boshnjakët, mbështetur në raportin e lidhjeve të saj historike me komunitetin i cili gjithashtu ka një diasporë të madhe në vetë Turqinë. Prania turke në rajon është shumë e larmishme. Para së gjithash, është Diyaneti, Presidenca Turke e Çështjeve Fetare, e cila po zhvillon marrëdhënie me institucionet fetare të çdo vendi ballkanik, veçanërisht në Bullgari, ku Diyaneti financon dhe mbikëqyr shkollat fetare myslimane. Pra, kemi një situatë të veçantë ku një institucion i shtetit turk merr përsipër shkollat fetare myslimane në një shtet fqinj. I njëjti Diyanet është më pak i pranishëm në vende të tjera të Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova apo Bosnje-Hercegovina.

Në këtë kontekst, fenomeni i ri islam nuk është më vetëm bartës i alternativave politike etno-kombëtare, por edhe simptomë e hapësirave të reja që nuk mund të kufizohen brenda një territori, shteti, kombi apo identiteti të caktuar komunal. Prandaj, siç sugjeron Bougarel, është e nevojshme “të përvijohet një qasje e re ndaj feve në Ballkan që thekson diversitetin brendshëm dhe transformimet e fundit”  (BOUGAREL, 2003).

Procesi i demokratizimit të rajonit dhe krijimi i partive politike pas viteve 1990-ta, janë qartazi etnokombëtare dhe jo parti fetare. Ato u krijuan nga anëtarë të elitave të reja laike dhe përfaqësojnë rezultatin logjik të sekularizimit dhe “nacionalizimit” proces që ndodhi gjatë periudhës post komuniste (Krasniqi A. , 2017). Përjashtimi i vetëm nga ky rregull janë disa subjekte politike të cilat janë krijuar nga anëtarët e një rryme pan-islamiste si SDA në Bosnjë Hercegovinë, partia Besa në Maqedoninë Veriore dhe Fjala në Kosovë. Megjithatë, kjo rrymë pan-islamiste nuk e vuri në dyshim parimin e shtetit laik.

Institucionet fetare islame, nga ana e tyre, kanë përjetuar një “ringjallje” të padiskutueshme siç ilustrohet nga ndërtimi i xhamive të reja, botimi i shumë gazetave, broshurat dhe librat dhe hapja e medreseve të reja të islamit,  institucionet të arsimit të lartë si Fakultetet Pedagogjike Islame të Zenicës dhe Bihaqit në Bosnje-Hercegovinë, Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, Fakultetet e Shkencave Islame Studimet në Shkup dhe Novi Pazar dhe Instituti i Studimeve të Larta Islame në Sofje (MACHACEK, 2007). Udhëheqësit fetarë islamë gjithashtu kanë rihyrë në sferën publike, përmes organizimit të tubimet fetare dhe pelegrinazhet, pjesëmarrja në ngjarje publike laike dhe nxjerrja e deklaratave publike lidhur me çështje të ndryshme sociale dhe politike. Ndoshta katër indikatorët kryesor të ngritjes së sentimentit fetar në Ballkan, janë imamët (klerikët myslimanë) të cilët janë ndoshta më përgjegjës për përhapjen e mesazhit të fesë te masat. Kjo nga ana tjetër rezultoi në një numër më të madh njerëzish, veçanërisht të rinjtë, duke filluar të praktikojnë fenë. Indikator i dytë janë  studentët e studimeve islame. Ndër këta, janë studentët të institucioneve lokale islame të arsimit të lartë të cilët janë përfshirë në studimi jashtë vendit. Ata luajtën dhe po luajnë rol të madh në transmetimin e ideve dhe literaturës islame nga vendet myslimane dhe përkthimin e tyre në gjuhën shqipe dhe boshnjake. Këta aktorë të ndryshëm, të mbështetur nga të huajt, gjithashtu i importojnë rivalitetet e tyre në Ballkan. Këto mund të vënë përballë njëra-tjetrës vende të ndryshme, mbi të gjitha Turqinë, Iranin dhe Arabinë Saudite. Ato gjithashtu mund të përfshijnë aktorë të ndryshëm nga i njëjti vend. Kur aktorët turq arritën në një numër të madh në Ballkan në vitet 1990, ata u pritën krahëhapur. Myslimanët në Ballkan nuk bënin dallime ndërmjet Dijanetit, institucioneve zyrtare dhe lëvizjes së Fetullah Gylenit, dhe mund të kishit pasur artikuj në shtypin fetar në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë ose Bullgari që lavdëronin Dijanetin krahas artikujve të tjerë në favor të Fethullah Gylenit.

E treta ishin organizatat dhe institucionet e bashkësisë islame. Ndër këto mund të përfshijmë objektet arsimore të bashkësisë islame, të dyja për arsimin e ulët dhe të lartë islam, mediat dhe botimet e tij. E katërta ishin ndikimet e faktorëve të huaj duke përfshirë agjencitë humanitare islame që funksionuan gjatë dhe menjëherë pas luftës. Përmes botimit të librave, gazetave dhe revistave islame, gjithashtu kanë ndikuar në rritjen e sentimentit fetar në këto dy komunitete(shqiptarë dhe Boshnjak. Në të shumtën rastet, në listën e letërsisë islame dominon përkthimi i literaturës së huaj. Këto botime mund të ndahen gjerësisht në botime të shtëpisë botuese të bashkësisë islame dhe në një masë më të vogël në botime private dhe agjencive humanitare. Duhet theksuar se librat falas vazhdon të shpërndahen nga të gjitha palët, nga njeriu aktivistë për të drejtat e dëshmitarëve të Jehovait, ungjillorët radikalë të krishterë, shiitët iranianë. Përveç kësaj, botimi i këtyre librave është kryesisht i nxitur nga oferta dhe nuk nxitet nga kërkesa. Prandaj, libra të tillë të financuar nga palët e huaja të interesit mund të konsiderohen si literaturë e subvencionuar.

vazhdon…

Lajmet FETË NË GJEOPOLITIKË (Pjesa e tretë) >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Rahoveci INFO

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!