Deputetët thonë se Rregullorja e re e Kuvendit duhet të përkrahet nga të gjitha subjektet politike

Rregullorja e re e Kuvendit, deputetët: Duhet të përkrahet nga të gjitha subjektet politike.

Deputetët së shpejti do të kenë para vetes për votim në lexim të dytë rregulloren e re të Kuvendit. Për dallim prej miratimit në parim, para pesë muajsh, kësaj radhe dy dispozita të cilat ishin vlerësuar nga shoqëria civile që bien ndesh me Kushtetutën e vendit, janë modifikuar.

Sanksionimi i deputetëve për mospjesëmarrje në seanca plenare, në lexim të dytë, nuk është përfshirë fare, vetëm është obliguar Kryesia e Kuvendit të nxjerrë një akt të brendshëm që rregullon mënyrën, kriteret dhe kushtet e administrimit të pjesëmarrjes dhe të kompensimit të deputetëve.

Ndërkohë, ideja për një “konferencë të kryetarëve”, e cila është konsideruar si paralele me Kryesinë e Kuvendit ka rënë, por do të institucionalizohet praktika e deritanishme si dhe t’iu shtohet vendimmarrja shefave të grupeve parlamentare në caktimin e seancave plenare dhe agjendës së tyre.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tka thënë së në raportin me amendamente kanë modifikuar dy dispozitat e kontestuara.

Për konferencën e kryetarëve, Rrustemi thotë se kanë gjetur një zgjidhje tjetër, ndërsa për sanksionimin e deputetëve “dembelë” të Kuvendit, ai shtoi se mbetet vetëm në aspektin moral të tyre.

“Në raportin me amendamente i kemi modifikuar këto dy dispozita (konferencën e kryetarëve dhe sanksionet ndaj deputetëve), përkundër që nuk kemi konsiderojmë se konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare pakëson kompetencat e kryesisë. Megjithatë për të garantuar efikasitet dhe për të shmangur dyfishimin e punës që mund të bëjnë këto trupa, ne kemi gjetur një zgjidhje të mesit, që Kryesia e Kuvendit, bashkë me kryetarët e GP të marrin vendime sa i përket rendit të ditës për seanca, thirrje të seancave dhe themelimin e komisioneve, miratimin e planit të punës etj. Këto do të jenë disa përgjegjësi që ushtrohen bashkërisht me konsensus në mes të Kryesisë së Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare. Praktikisht është institucionalizim i praktikës aktuale në Kuvend… Ne kemi përcaktuar aty një obligim që Kryesia e Kuvendit të nxjerr një akt të brendshëm që rregullon mënyrën, kriteret dhe kushtet e administrimit të pjesëmarrjes dhe të kompensimit të deputetëve”, thotë ai.

Përkrahje për miratimin e rregullores së re të Kuvendit pritet t’i japë edhe subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se në mes të dy leximeve për rregulloren, janë përfshirë edhe amendamentet e tyre, kësisoj, ai thotë se e njëjta duhet të përkrahet nga të gjitha partitë parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës në mes dy leximeve i ka pasur disa amendamente të cilat kryesisht janë përfshirë gjatë grupeve punuese. Tash ka mbetur që rregullorja me konsensus politik të kalojë në seancat e radhës në Kuvendin e Kosovës. Konsideroj se duhet të përkrahet rregullorja nga të gjitha subjektet politike”, thotë Beqa.

Përkrahje për miratimin e rregullores, kërkon edhe deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.

“Jemi përpjekur që t’i harmonizojmë qëndrimet pak a shumë të të gjithë grupeve parlamentare, në fund të fundit e imponon konsensusi. Por përgjithësisht argumentet kanë qenë profesionale, nuk është karakterizuar nga diskutimi politik, besoj se do të miratohet, megjithatë i mbetet deputetëve”, thekson ai.

Pas miratimit në lexim të parë të rregullores së Kuvendit, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), kishte konstatuar si kundërkushtetuese dispozitën për konferencën e kryetarëve si dhe të atë për, sanksionimin e deputetëve. Për të parën u tha se ndërhyn në kompetencat e Kryesisë së Kuvendit, ndërsa për të dytën u tha se duhet bërë kujdes pasi deputetëve duhet t’iu njihet e drejta për bojkot politik.

KosovaPress ka provuar të marrë një qëndrim prej tyre për rregulloren e amendamentuar, mirëpo, të njëjtit kanë potencuar se ende nuk e kanë shqyrtuar atë me ndryshimet e bëra.

Miratimi i rregullores së re të Kuvendit kërkon dy të tretat e votave të deputetëve. Kuvendi, aktualisht punon me rregulloren e cila është miratuar në vitin 2010.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!