A po ndryshojnë raportet e Kurtit me ShBA’në?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë kthesë në diskursin e tij, por edhe në qasjen ndaj raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësojnë përfaqësues të partive opozitare në Kosovë.

Kurti, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takojnë të martën në Uashington sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Palët do të diskutojnë për partneritetin dypalësh midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen ndaj Kosovës në sektorët strategjikë, përfshirë ekonominë dhe mbrojtjen”, ka thënë Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, është pyetur nga gazetarët se a është ky takim “thyerje e akullit” dhe përmirësim i raporteve të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në?

“Kjo nuk është thyerje e akullit, por është një hap më tej në forcimin e marrëdhënieve tona”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të martën në Prishtinë.

Qeveria e Kurtit, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, është kritikuar vazhdimisht nga opozita në Kosovë për, siç është thënë, përkeqësim të marrëdhënieve me SHBA-në.

Më të zëshme kanë qenë kritikat kur Qeveria ka refuzuar të kyçet në Gazsjellësin Trans-Adriatik – që parashihej të bëhej me mbështetje të SHBA-së – me arsyetimin se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është i shtrenjtë.

Qeveria është kritikuar edhe për moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në shtator të vitit 2020 nga udhëheqësit e atëhershëm të dy vendeve dhe në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se mbetet të shihet nëse takimi me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, do të sinjalizojë përmirësimin e marrëdhënieve midis Qeverisë së Kurtit dhe SHBA-së.

“Unë e di që ka bërë gabime në të kaluarën në këto raporte, por edhe me deklarata. Por, besoj se kthesa është e dukshme edhe në deklarata, edhe me veprime dhe takime. Për mua, ai që ftohet në SHBA, ftohet për t’i dhënë mesazh, por edhe për t’i dhënë sinjal se ‘nuk është krejt siç po thoni ju’”, thotë Haliti për Radion Evropa e Lirë.

Time Kadrijaj, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se partia e saj e ka kritikuar disa herë Kurtin për shkak të disa vendimeve të tij, që, siç thotë, nuk kanë qenë në harmoni me sugjerimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ajo që na ka bërë të dyshojmë, ka qenë refuzimi i projektit të gazit amerikan, sepse tash, përderisa po përballemi me krizë të rëndë energjetike, ai ka qenë një gabim fatal që e ka bërë Kurti dhe Qeveria e tij”, thotë Kadrijaj.

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka refuzuar të japë komente.

“Takimi [në Uashington] mund të jetë gjithqysh”, ka thënë shkurtimisht ai.

Kritikat e kësaj partie për Qeverinë kanë qenë të vazhdueshme, sidomos për moszbatimin e supozuar të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, më 12 prill, ish- kryeministri Abdullah Hoti, i cili ka qenë nënshkrues i Marrëveshjes së Uashingtonit, ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në janë lënduar dhe se nuk janë në nivelin që kanë qenë dhe që duhet të jenë.

“Mendoj se është absurde që këtu në Kuvend, në vazhdimësi, është cilësuar si e dëmshme një marrëveshje që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Hoti, tani deputet i LDK-së, duke aluduar në deklaratat e Kurtit.

Në po të njëjtën seancë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëkohësisht udhëheqës i kësaj partie, ka thënë se Qeveria aktuale është “kundër SHBA-së” në mënyrë të vazhdueshme.

“Është duke abuzuar me durimin, me pasionin e aleatëve kryesorë të sigurisë”, ka thënë Haradinaj.

Përkundër kritikave, Kurti, në disa raste, ka thënë se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i palëkundshëm.

“Është diçka përtej brezit tonë, ka nisur më herët dhe do të vazhdojë pas nesh”, ka thënë Kurti në një intervistë për një televizion në Kosovë, në fund të vitit të kaluar.

Por, a besojnë partitë opozitare se diskursi i tyre – që Kurti dhe Qeveria e tij po e përkeqësojnë nivelin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së – qëndron edhe më tej, pas vizitës së tanishme të kryeministrit dhe presidentes në SHBA?

Xhavit Haliti, nga PDK-ja, thotë se e rëndësishme është që kryeministrit të Kosovës i është hapur rruga që të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit.

“Përtej kësaj, unë nuk kam çfarë të them, as më mirë e as më keq. Do të thotë, është një sukses, po besoj i qeverisjes së tij. Por, mbi të gjitha, është një çështje me të cilën do të përballet jo lehtë, pra me politikën e Departamentit të Shtetit, për sa u përket raporteve të Kosovës me Serbinë, në veçanti sa i përket dialogut [me Serbinë]”, thotë Haliti.

Time Kadrijaj, nga AAK-ja, shprehet skeptike se Kurti ka ndryshuar qasje në raport me SHBA-në.

“Nëse rastësisht ka ndërruar qasje, ne e përgëzojmë”, thotë ajo.

Shtetet e Bashkuara janë ndër aleatet më të ngushta të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Duke iu referuar Kosovës më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i saj janë të pakthyeshme dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Blinken ka thënë, po ashtu, se shpreson që Kosova të zërë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!