Çka përmban marrëveshja me MCC-në?

Tre zyrtarë të shtetit fluturuan në Amerikë, për një marrëveshje të madhe. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të ta nënshkruajnë ujdinë 202 milionëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, për fushën e energjisë.

Kësaj shume, qeveria në Prishtinë do t’ia shtojë edhe rreth 33 milionë euro, për t’i implementuar dy projektet e Programit Kompakt të MCC-së, njofton Klan Kosova.

I pari, më i rëndësishmi, do ta mundësojë akumulimin e rrymës që prodhohet natën, për t’u shfrytëzuar ditën, kur kërkesa është më e madhe.

Bateritë që pritet të jenë më të fortat në Evropë, parashihet të kenë fuqi akumuluese rreth 340 megavatë në orë. Kjo do ta zvogëlonte nevojën për import energjetik.

Projekti i dytë mëton aftësimin profesional të punëtorëve të sektorit të energjisë, si dhe punësimin e sa më shumë grave në këtë fushë.

Po ashtu, pritet investim edhe në ruajtjen e energjisë te ndërtesat dhe shtëpitë e banimit.

Pas nënshkrimit në Uashington, marrëveshja Qeveri-MCC duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Për të nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, teksa implementimi praktik pritet të fillojë kah viti 2024.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!