Abdixhiku: Mbështesim institucionet e Kosovës, reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran

Kreu i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkrahur Qeverië e Kosovës për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Mbështesim angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran”, thuhet në një shkrim të Abdixhikut të publikuar në Facebook.

“Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri”.

Ai shkruan se në këtë situatë është esencial bashkërendimi me aleatët ndërkombëtar.

“Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri”, thuhet në postimin e kryetarit të LDK-së.

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve që të cojnë në këto dy pika.

Ndërkaq, sipas informatave nga terreni, raporton REL, pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë, si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska.

Në veri ka nisur bllokimi i rrugëve me kamionë, pasi një orë u dëgjua alarmi i qytetit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nga 1 gushti do të hyjë në fuqi vendimi për reciprocitet me Serbinë, për cështjen e njohjes së dokumenteve.

Prej të hënës, në Kosovë, shtetasit serbë që prezantojnë në kufi dokumente identifikuese të lëshuara nga Serbia, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!