Kryeministri Kurti fillon aktivitetin si udhëheqës i Komisionit për Shëndetësi, ky është fjalimi i tij para kirurgëve

Kurti nis aktivitetin si udhëheqës i Komisionit për Shëndetësi, ky është fjalimi i tij para kirurgëve.

Zyra e Kryeministrit njofton se, me ftesë të Kryetarit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, njëherit ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Pak ditë pasi Kurti formoi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, të cilin e udhëheq vetë, ka nisur aktivitetet në këtë fushë.

Në fjalën e tij të rastit, njofton ZKM-ja, kryeministri Kurti tha se shëndetësia është edhe praktikë e efikasitet në punën e përditshme, edhe akademi e shkencë që edukon brezat e rinj të profesionistëve dhe akademikëve. Ai u shpreh i lumtur që merr pjesë në hapjen e Kongresit, në praninë e shumë profesionistëve mjekësorë, në mesin e të cilëve edhe mërgimtarë që nuk e kanë harruar Kosovën dhe janë prezent sa herë u jepet rasti e mundësia.

“Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai i njoftoi të pranishmit edhe për formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi me vendim të Qeverisë. “Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi”, ka thënë kryeministri, njofton Zyra e tij.

Në fund të fjalës, ai u uroi pjesëmarrësve punime të mbara në këtë kongres që do të mbahet nga 15 deri me 18 shtator, në Prishtinë.

Fjala e plotë e Kryeministrit, të cilën e ka dërguamr Zyra e tij:

I nderuar ministër i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi,

Të nderuar zëvendësministra Gexha-Bunjaku dhe Berisha,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar profesionistë shëndetësorë,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem me ju për të përshëndetur Kongresin e Dytë të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Asocimi i profesionistëve mjekësorë, në veçanti të atyre me shkallë akademike, siç është ky kolegj i kirurgëve, luan rol të rëndësishëm jo vetëm për sektorin. Rëndësia shtrihet në shumë sfera.

Shëndetësia është edhe praktikë e efikasitet në punën e përditshme, por edhe akademi e shkencë që na i edukon brezat e rinj të profesionistëve e akademikëve. Nesër këta edhe do të jenë në praktikë, edhe do të nxjerrin profesionistë të tjerë të rinj pastaj. E këtu ju kemi të dy këto sfera bashkë, sa i përket fushës së kirurgjisë.

Këtu jeni edhe profesionistë që veprimtarinë tuaj profesionale e ushtroni në vend, edhe të tillë që jeni nga mërgata, kirurgë nga shumë vende të botës që nuk e keni harruar Kosovën dhe jeni prezent sa herë u jepet rasti e keni mundësi: në konferencë, për familje, për punë, për pushim e për bashkëpunime.

Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Niveli akademik është shkenca e ndërgjegjja e secilit profesion. Praktika, në veçanti në kushtet e komercializimit të skajshëm të çdo gjëje, ndonjëherë, e nxjerrë profesionin fisnik të mjekut nga misioni humanitar e i lartësuar që ka.

Për këtë qëllim do të sigurohemi që të kemi sektor shëndetësor publik që është funksional, me ndarje të drejtë me atë privat, si dhe bashkëpunim e plotësim në mes këtyre të dyve.

Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi.

Te Dr. Rifat Latifi e keni edhe kolegun tuaj, por meqë unë jam koleg i tij, më keni edhe mua koleg tuajin. Kemi nevojë për dijen tuaj, për përvojën tuaj, për shkathtësitë tuaja, e kemi nevojë për kulturën tuaj të punës.

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni edhe një herë t’ju përgëzoj dhe t’ju uroj punime të mbara të kongresit.

Ju faleminderit.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!