Presidentja falënderon tri shtetet evropiane për mbështetjen rreth liberalizimit

Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka falënderuar Gjermaninë, Francën dhe Poloninë për angazhimin e demonstruar në shërbim të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Falënderim të madh për Gjermaninë, Francën dhe Poloninë për angazhimin e tyre të vendosur për liberalizim të vizave për popullin e Kosovës”, ka shkruar ajo.

“Ky proces i vonuar është vendosur prapë në rrugën e duhur përmes punës së palodhshme dhe agjendës së qartë të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve tanë”, ka thënë Presidentja Osmani pas një deklarate të përbashkët që këto shtete të njohura si “Trekëndëshi i Vajmarit” kanë bërë thirrje për progres në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se e ka mirëpritur riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga Ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Weimarit”, shkroi Kurti.

Ndryshe, në këtë deklaratë të përbashkët, “Trekëndëshi i Weimarit” thotë se e mbështet plotësisht dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thekson “nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian”.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftim.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!